Sport

Skandali me shpërblimin e trajnerit, Ministria e Sportit: “Jashtë kompetencave tona, është përgjegjësi e Federatës!”

Nga ministria ka bërë të ditur, se kalimi i shpërblimit financiar është bërë duke iu referuar dokumentacionit të FSHP-së dhe nëse mund të ketë ndonjë gabim për sa i përket trajnerit, atëherë përgjegjësia bie mbi federatën e këtij sporti.

2 Nëntor 2022, 11:55 Nga DOSJA

Skandali me shpërblimin e trajnerit, Ministria e Sportit:

TIRANE - Zef Kovaçi, denoncon heqjen e emrit të tij, si trajner i Erkand Qerimajn dhe për rrjedhojë, nuk ka marrë shpërblimin financiar që i takon, pas triumfit që peshëngritësi i stërvitur prej tij ka arritur në Kampionatin Europian, që u mbajt disa muaj më parë në Tiranë.

Trajneri i njohur i peshëngritjes ka akuzuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, se në vend të tij kishte vendosur emrin e trajnerin Sokol Bishanaku, e rrjedhimisht ky i fundit ka marrë edhe shpërblimin financiar nga shteti. Por, trajneri Kovaçi gjithashtu akuzon edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si përgjegjëse, teksa shprehej se i kishte njoftuar për ta korrigjuar këtë gabim, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje prej tyre.

Gazeta “Panorama Sport”, ka kontaktuar me Drejtorinë e Sporteve në ministri, ku dhe ka marrë një reagim prej tyre për këtë situatë. Nga ministria bëhet e ditur, se kalimi i shpërblimit financiar është bërë duke iu referuar dokumentacionit të FSHP-së dhe nëse mund të ketë gabim për sa i përket trajnerit, atëherë përgjegjësia bie mbi federatën e këtij sporti. Ministria gjithashtu deklaron, se nëse trajneri Kovaçi ka pretendime, atëherë për këtë çështje ai duhet t’i drejtohet KAS-it.

Në komunikimin me gazetën, drejtoria e sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka reaguar kështu në lidhje me këtë çështje: “Ne ia kemi përcjellë përgjigjen trajnerit Kovaçi dhe nuk e dimë pse nuk i ka vajtur. Kjo është një çështje jashtë kompetencës sonë. Kemi të bëjmë me një pretendim që ngre zotëria si trajner, por ne komunikimin e kemi me federatën përkatëse dhe ne marrim për bazë atë që në thotë federata.

Pra, nëse federata mund të sjellë diçka gabim, përgjegjësia do të jetë e federatës për këtë pjesë, pasi është federata ajo që organizon trajnerët dhe i ka gjërat të dokumentuara, ndërsa ne kërkojmë prej tyre emrat e sportistëve dhe trajnerëve. Për rastin konkret, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka sjellë emrin e trajnerit Sokol Bishanaku dhe ne nuk kemi informacion, nëse ka qenë trajner Zef Kovaçi.

Ministria në çdo rast e merr informacionin mbi bazën e asaj që pasqyrojnë federatat. Ligji parashikon që edhe nëse sportisti vetë mund ta bëjë kërkesën për shpërblimin, ne sërish do t’i drejtoheshim federatës për të verifikuar informacionin, për të konfirmuar nëse ky sportist ka këtë trajner apo jo. Sportistit, ashtu sikurse edhe trajnerit tashmë u është dhënë edhe shpërblimi financiar. Në përgjigjen që ne i kemi drejtuar trajnerit Kovaçi, i kemi thënë që duhet t’i drejtohet KAS-it, pasi është institucioni që i ka në kompetencë për t’i zgjidhur çështje të tilla”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll