Aktualitet

Çela: Shqetësim abuzimi me pronat në bredget, hetim për korrupsionin

Çela tha se është shumë pas puna në raport me performancën e policisë gjyqësore por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

25 Tetor 2022, 11:35 Nga f.g
Çela: Shqetësim abuzimi me pronat në bredget, hetim për
Olsian Cela

TIRANE- Kryeprokurori Olsian Çela ka deklaruar se problem shqetësues për hetimin nga prokurorët mbetet pastrimi i parave dhe abuzimi i pronave. Në mbledhjen e KLP ku është duke u votuar edhe për zgjedhjen e anëtarit të ri, ka mbajtur fjalën në Asamble edhe Çela që tha se është shumë pas puna në raport me performancën e policisë gjyqësore por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

PJESE NGA FJALA E OLSIAN CELES:

Lufta ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale dhe goditja e aseteve me origjinë nga krimi mbeten prioriteti ynë. Ndërsa ka progres në disa aspekte dhe kjo është vlerësuar edhe nga organizmat ndërkombëtare që monitorojnë nga afër Shqipërinë në këtë fushë, rezultatet e hetimeve pasurore nuk janë ato që priten. Edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë vihet theksi në nevojën për përmirësime të treguesve në këtë drejtim. Drejtuesit e prokurorive duhet të jenë aktivë përmes mirëadministrimit të kapaciteteve të zyrave me fokusimin drejt fushave prioritare të luftës ndaj krimit. Ata duhet të bëjnë më shumë në nxitjen e hetimeve pasurore si dhe në koordinimin me agjensitë e tjera përgjegjëse në goditjen e krimeve me natyrë financiare.

Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet e nisura duhet të vazhdojnë e të thellohen për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit. Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse pasi përveç pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë thellësisht besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre.  Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata, dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut. 

Dhuna në familje dhe ajo ndaj të miturve ka qenë në fokus të punës sonë tashmë prej një kohe të gjatë. Gjej vendin këtu që të shpreh vlerësimin për arritjet që kemi pasur në goditjen e këtyre krimeve. Megjithë ashpërsimin e dënimeve apo aplikimin e masave ekstreme të sigurimit, nga të dhënat statistikore nuk rezulton të ketë një tendencë në rënie të këtyre veprave penale. Pa asnjë dyshim prokuroria do të vazhdojë të luajë rolin e saj thelbësor si deri më sot në përballjen me këtë sfidë të madhe për shoqërinë shqiptare, por të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se këto janë fenomene që nuk mund të përballohen vetëm me përgjigjen penale, por me një qasje shumëdimensionale që përfshin edhe aspektet sociale, ekonomike e kulturore.

Koordinimi mes prokurorive të jurdiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme ka funksionuar mjaft mirë që në hapat e para të krijimit të strukturës së re. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet për vendin dhe ndërveprimi mes strukturave tona mbetet tejet i rëndësishëm për arritjen e objektivave.

Konstatoj se mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rritjes së performancës së policisë gjyqësore. Sistemi i ri i raportimit të veprimeve hetimore i miratuar para pak ditësh synon një mbikqyrje më të mirë të drejtuesve mbi punën e tyre. Informacioni statistikor do t’i ndihmojë ata në organizimin më të mirë të punës përmes shpërndarjes së balancuar të ngarkesës dhe eleminimit të zvarritjes së hetimeve. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme do te ndiqet me prioritet aplikimi me efikasitet i këtij sistemi statistikor. Falë mbështetjes që na është dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, sot kemi pothuaj në të gjitha rrethet gjyqësore një numër të barabartë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Përmes rritjes së numrit të oficerëve të policisë gjyqësore është synuar mbështetja për prokurorët në kushtet e mungesave te shumta në organikë, por kjo masë do të lehtësojë edhe punën e tyre në vazhdimësi pas plotësimit të organikave./Dosja.al 

olsian çela gara ne klp

Sondazh

Poll