Aktualitet

Kur do të jetë gati plani për amfiteatrin e Durrësit? Granoff: Duhen dy vite që të përgatitet, jemi në fazat e hershme

Granoff u përgjigj se duhen një deri në dy vite përpara se të zhvillohet plotësisht një plan i tillë.

24 Tetor 2022, 23:28 Nga I.A
Kur do të jetë gati plani për amfiteatrin e Durrësit?
Michael Granoff

TIRANË- Michael Granoff, kreu i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ka zhvilluar këtë të hënë një intervistë për emisionin “Opinion”. Ai u pyet nga gazetari Blendi Fevziu se kur do të jetë gati plani për amfiteatrin e Durrësit. Granoff u përgjigj se duhen një deri në dy vite përpara se të zhvillohet plotësisht një plan i tillë. Megjithatë, ai theksoi se tashmë Fondacioni është në fazat e hershme të planit.

Blendi Fevziu: I kuptoj shumë mirë shërbimet të cilat janë të nevojshme. Projekti i dytë, i cili u bë publik këtë vit, është projekti i amfiteatrit të Durrësit. Është një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që kemi, por është tërësisht e nënvlerësuar dhe e pa kujdesur. Çfarë projekti keni ju këtu?

Michael Granoff: Është interesante. Qasja jonë për Durrësin ka ardhur nga dy arsye. E para, pas tërmetit, i cili e dëmtoi shumë Durrësin, siç e dini, ne pamë në mënyrë të përgjithshme për të gjetur mënyrën sesi Fondacioni mund të bëhej i dobishëm në rindërtimin pas tërmetit. Pasi, Durrësi u dëmtua shumë. Më pas, pamë zonën arkeologjike dhe menduam se ndoshta mund të ndihmojmë në zhvillimin e asaj zone të Durrësit në mënyrë që të sjellim më shumë vizitorë, të mbrojmë objektin, ta zhvillojmë objektin. Po ashtu, ne donim të siguroheshim se do të menaxhohet në mënyrë transparente, jo të korruptuar dhe të hapur në mënyrë që njerëzit ta zhvillonin.

Blendi Fevziu: Krahasuar me Butrintin, i cili le të themi se është gati, në Durrës ju duhet të bëni shumë punë sepse projekti i ri parashikon e hapjen e anës tjetër të amfiteatrit, vetëm gjysma e amfiteatrit është e hapur tani. Ka shtëpi të cilat do të shemben për të hapur hapësirën. Keni një plan konkret për të?

Michael Granoff: Kemi një plan të kompletuar.

Michael Granoff: Nëse nuk do të kishim një plan do të ishte e papërgjegjshme për ne që të ecnim përpara. Tani jemi në fazat e tij të hershme. Jemi duke bërë përgatitjet për atë plan. Jemi duke shpenzuar para për të rregulluar çdo detaj të vogël të projektit që duhet bërë…

Blendi Fevziu: Projekte dhe gjithçka tjetër dhe më pas do të filloni…

Michael Granoff: Në mënyrë që të dimë çdo gjë. Për shembull nëse flasim për koston. Ne jemi në një botë ditën e sotme ku të gjithë flasin për problemet me zinxhirin e furnizimit, inflacionin siç e njihni edhe ju. Çmimet e çdo gjëje janë rritur. Çmimet e gurëve, çmimet e tubave, çmimet e çdo gjëje. Dhe sigurisht, sa më shumë të afrohemi në zbatimin e këtij projekti, duhet të kuptojmë mirë situatën dhe të jemi të kujdesur për koston e strukturës. Duhet të themi: duam të bëjmë këtë gjë e cila ka për të kushtuar kaq para dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë kaq para. Mbani mend se Fondacioni nuk sjell përfitime institucionale apo individuale. Ne merremi me të ofruarit para në mënyrë të përgjegjshme.

Blendi Fevziu: Kur do të jetë gati plani për amfiteatrin e Durrësit?

Michael Granoff: Kjo është një pyetje e vështirë. Mendoj se duhen me patjetër një-dy vite përpara se ta zhvillojmë plotësisht. Këto gjëra kërkojnë kohë.

Blendi Fevziu: Bëhet fjalë për amfiteatrin apo edhe për zonën rrethuese?

Michael Granoff: Përfshin gjithçka. Përfshin amfiteatrin, zonat rrethuese, më duket në të paktën tre anët e tij.

Marrë nga tvklan.al

michael granoff

Sondazh

Poll