Aktualitet

Vdekja e Lear Kurtit, prokuroria: Autopsia u bë nga 5 ekspertë, qesja në stomak kishte prani kokaine! Presim pamjet e 'Traumës'

Prokuroria sqaron se autopsia është kryer nga një grup prej 5 ekspertësh dhe ka dalë në përfundimin se në trup kishte prani kokaine.

24 Tetor 2022, 10:28 Nga f.g
Vdekja e Lear Kurtit, prokuroria: Autopsia u bë nga 5 ekspertë, qesja
Lear Kurti

TIRANE- Qesja e gjetur në stomakun e 32-vjeçarit Lear Kurti ka prani të kokainës. Ky është përfundimi i arritur nga Prokuroria e Tiranës që njofton se ka administruar të gjitha informacionet deri më tani dhe ka nisur hetimin për efektivët e policisë që ndaluan dhe shoqëruan Lear Kurtin me akuzën e  "veprime arbitrare" dhe "mosdhënie ndihme". Gjithashtu, organi i akuzës bën me dije se kartela mjekësore e të riut është sekuestruar bashkë me pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Prokuroria sqaron se autopsia është kryer nga një grup prej 5 ekspertësh dhe ka dalë në përfundimin se në trup kishte prani kokaine. Ndërkohë që do të merren edhe pamjet filmike në spitalin e Traumës. 

DEKLARATA E PLOTE:

Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimive arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal.

Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qëndrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.

Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Deklarata e Prokurorisë vjen 3 ditë pasi Lear Kurti, 32 vjeç dha shpirt duke u sorrollatur në duart e efektivëve të komisariatit nr.3 të Policisë së Tiranës. Ai u ndalua mbrëmjen e 19 tetorit nga efektivët dhe brenda 30 minutave ndërroi jetë. Por, moszbardhja e kësaj ngjarjeje vjen si pasojë e pretendimeve kontradiktore të palëve. Ekspertiza paraprake ka dalë në përfundimin se s’ka pasur dhunë ndaj të riut, por që ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të kokainës që ka gëlltitur, ndërsa familjarët pretendojnë se është dhunuar nga policia. Një dëshmi e mikut të të riut mbrëmjen e djeshme te Piranjat hidhte dyshimte të forta se Policia dhe AMP kanë mbuluar ngjarjen. I riu thoshte se e kishte parë viktimën teksa rrihej barbarisht ndërsa akuzonte drejtorin e AMP, Ardi Veliu se e kishte "këshilluar" indirekt të mos pranonte dhunën që kishte parë me sytë e tij. /Dosja.al

vdes lear kurti prokuroria e tiranes lear kurti

Sondazh

Poll