Aktualitet

“10 mijë euro ose të vramë vëllain”, arrestohet 24-vjeçari në Tiranë, bashkëpunëtori i pengmarrësve në Greqi

26 Gusht 2019, 07:29 Nga DOSJA
“10 mijë euro ose të vramë vëllain”, arrestohet

TIRANË– Policia shqiptare ka finalizuar operacionin e nisur nga pala greke para tre ditësh për shkatërrimin e një grupi shqiptarësh që kishin marrë peng bashkëkombësin e tyre. Në Tiranë është arrestuar personi i pestë që bashkëpunoi në pengmarrje, qytetari me inicialet L.P., 24 vjeç.

Tre ditë më parë u vunë në pranga nga policia greke 4 shqiptarë pasi kishin marrë peng një bashkëkombasin e tyre në Greqi dhe i kërcënonin familjen.

4 shqiptarët me inicialet Xh.N., 49 vjeç, H.M., 35 vjeçe, B.M., 41 vjeç, M.M., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, mes tyre edhe një grua, kishin rrëmbyer një bashkëkombasin e tyre dhe e mbanin të idhur në banesë.

Ata kishin telefonuar edhe vëllain e ‘viktimës’, J.T, 31-vjeç nga Tirana dhe  i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.

Ka qenë pikërisht L.P, ai që është paraqitur tek vëllai i pengut dhe i ka kërkuar shumën prej 10 mijë eurove në mënyrë që t’i linin të lirë vëllanë J.T., ose ndryshe do ta vrisnin.

Ditën që ka ndërhyrë policia greke ka qenë dita e fundit që i kishin lënë afat për të marrë 10 mijë eurot.

Siç Dosja.al raportoi edhe më parë ajo që i kishte ‘tradhtuar’ grabitësit ishte telefoni. Në momentin që pengmarrësit kanë telefonuar vëllain e 31-vjeçarit, telefonata është gjurmuar dhe është zbuluar vendndodhja e tyre.

Sipas policisë organizatori i kësaj grabitje ka qenë 49-vjeçari, Xh.N. I rrëmbyeri tashmë është kthyer pranë familjes ndërsa pengmarrësit janë në burg.

Ndërkohë të arrestuarit do të dalin para gjykatës nën akuzat për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e  pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi nga Policia e Shtetit

Operacion policor ndërkombëtar mes Policisë së Tiranës, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit të Policisë Kriminale në P.SH dhe Policisë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana

Finalizohet operacioni policor i koduar ”Korinthos”, iniciuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Arrestohen 5 shtetas të dyshuar si autorë të pengmarrjes së një shtetasi, nga këta 1 i arrestuar në Shqipëri dhe 4 në Greqi.

Falë inicimit nga Policia e Tiranës, dhënies së informacionit në kohë reale Policisë greke me adresën e saktë të vendndodhjes së pengmarrësve dhe mbajtjes së pengut, Policia greke bëri të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e katër shtetasve.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë morën informacion se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një shtetas nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.

Pas një hetimi disaditor duke përdorur metodat speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Policinë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana, finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar “Korinthos”.

Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve.

Policia greke mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Xh.N., 49 vjeç, banues në Tiranë.

H.M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë.

B.M., 41 vjeç, banues në Tiranë.

M.M., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë është bërë i mundur lirimi i pengut, shtetasi J. T., banues në Tiranë.

Po në vijim të operacionit Policia e Tiranës bëri kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

L. P., 24 vjeç, banues në Tiranë, (bashkëpunëtor)

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë vazhdon punën intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.

(f.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet pengmarrja ne greqi pengmarrja ne greqi

Sondazh

Poll