Bota

Vjosa Osmani: Nisma franko-gjermane ka për qëllim përshpejtimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë! Vulën e fundit e ka presidenti

Presidentja Osmani shtoi se javët në vijim do të ketë diskutime sqaruese me ekipin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emannuel Macron mbi nismën.

21 Tetor 2022, 18:47 Nga e.k
Vjosa Osmani: Nisma franko-gjermane ka për qëllim përshpejtimin
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të premten se nisma franko-gjermane për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim përshpejtimin e dialogut dhe se askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të heq dorë nga njohja e ndërsjellë. Në një deklaratë për mediat Osmani tha se presidentja e jep vulën finale për marrëveshjet ndërkombëtare ose ato të cilat rafitikohen në Kuvendin e Republikës. 

“Presidentja dekreton marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nënshkruhen ose dekretohen në Kuvend. Është autoriteti final që vendos rreth këtyre çështjeve duke qenë udhëheqëse e politikës së jashtme. Ajo që dua të konfirmoj është që do të nënshkruaj vetëm marrëveshje që janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja Osmani shtoi se javët në vijim do të ketë diskutime sqaruese me ekipin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emannuel Macron mbi nismën.

“Deri tani ajo çka mund të garantojë është kjo që qëllimi i partnerëve tanë është qëllim i mirë dhe qëllimi është që ky proces të përfundojë sa më parë dhe po ashtu që asnjëherë askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të hiqet dorë nga njohja reciproke. Prandaj dua t’i drejtohem qytetarëve të Kosovës që të rrinë të qetë sepse në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë, jo që po kërkohet një gjë e tillë, por nuk do të lejojmë të preket sovraniteti, nuk do të lejojmë që të preket integriteti territorial u vendit tonë e aq më pak funksionaliteti i brendshëm i Kosovës”, tha ajo.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vizitoi Kosovën dhe Serbinë gjatë dy ditëve të kaluara i shprehu mbështetje nismës ndërsa bëri thirrje për përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ritheksoi qëndrimin amerikan se asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk ekziston një projekt i shtetit gjerman që u është dorëzuar institucioneve të Kosovës dhe sipas saj as nuk do të ketë.

“Për shkak se qëndrimi i partnerëve tanë është i qartë në kontekstin se ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin por edhe pjesa e dytë e kërkesës është shumë me rëndësi e përmendim që asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e gjykatës Kushtetuese”, tha presidentja Osmani.

Javëve të fundit është parë një intensifikim i veprimeve ndërkombëtare përmes të cilave synohet përshpejtimi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Franca dhe Gjermania janë përfshirë në proces përmes nivelit më të lartë institucional. Përgjatë vizitës që kanë realizuar këshilltarët e Scholz dhe Macron në Prishtinë dhe Beograd kanë sjellë me vete edhe një propozim franko-gjerman në të cilin gjendet vullneti i Scholz dhe Macron për t’u marrë me procesin e negociatave në mënyrë më vendimtare. Gjithë propozimi Berlin-Paris vjen me qëllim të mbylljes së çfarëdo hapësire në të cilën do të mund të depërtonte Rusia në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

kosove dialogu kosove-serbi vjosa osmani

Sondazh

Poll