Bota

Kriza politike në Britani/ Kushtetuta e konservatorëve “shpëton” Liz Truss nga shkarkimi të paktën për 1 vit

Pas protestave të përgjithshme të shkaktuara nga trajtimi i saj, e vetmja pengesë për largimin e saj është kushtetuta e Partisë Konservatore, e cila parashikon se duhet të kalojnë 12 muaj para se të bëhet një mocion i brendshëm mosbesimi ndaj saj.

17 Tetor 2022, 15:31 Nga d.a.
Kriza politike në Britani/ Kushtetuta e konservatorëve
Truss

BRITANI- Britania është përsëri në mes të një krize serioze politike, vetëm pesë javë pasi Liz Truss mori postin e kryeministres në një votim midis anëtarëve të partisë Konservatore, pasi më shumë se 100 deputetë konservatorë thuhet se janë të gatshëm ta largojnë atë, duke cituar masat tatimore pro të pasurve që u detyrua të merrte përsëri.

Pas protestave të përgjithshme të shkaktuara nga trajtimi i saj, e vetmja pengesë për largimin e saj është kushtetuta e Partisë Konservatore, e cila parashikon se duhet të kalojnë 12 muaj para se të bëhet një mocion i brendshëm mosbesimi ndaj saj. Praktikisht, nëse kryeministrja britanike nuk jep dorëheqjen, atëherë ajo do të duhet të ndryshojë kushtetutën e Partisë Konservatore për të hequr veten nga posti i saj, ashtu siç ndodhi me largimin e Boris Johnson nga Kryeministria.

Në këtë kontekst, Sir Graham Brady, kryetari i "komitetit 1922" (grupi konservator) përgjegjës për procesin në fjalë, do të takohet sot me Truss për t'i shprehur asaj pakënaqësinë e fortë të deputetëve konservatorë, shumë prej të cilëve po e quajnë kryeministër "vetëm në emër".

Në një përpjekje të fundit për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, ministri i ri i financave Jeremy Hunt, i cili mori detyrën të premten, tha këtë mëngjes se pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të shpallura nga qeveria në të ashtuquajturin mini-buxhet ishin duke u terhequr.

“Qeveria ka vendosur sot që të bëjë ndryshime shtesë në minibuxhetin. Ne vendosëm t'i shpallim ato përpara buxhetit afatmesëm, i cili vjen në parlament pas dy javësh (31 tetor), për të minimizuar spekulimet e padobishme," tha Hunt. Në të njëjtën kohë, siç theksoi ai, synimi i tij është rikthimi i “besimit dhe stabilitetit” në financat publike të vendit.

Skenarët e ditës së nesërme janë të shumtë. Disa nga të ashtuquajturit "rebelë" duan që Rishi Sunak dhe Penny Mordant, dy kandidatët që dolën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë në zgjedhjet e fundit për udhëheqjen e Partisë Konservatore, të marrin bashkërisht frenat e vendit. Megjithatë, Penny Mordant në shkrimin e saj të sotëm në gazetën Daily Telegraph thekson se do të vazhdojë ta mbështesë kryeministren britanike, duke theksuar ndër të tjera se “vendit i duhet stabilitet dhe jo telenovelë”.

Një skenar i dytë është që Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace,  i cili është jashtëzakonisht popullor, të marrë përsipër rolin drejtues jo vetëm brenda partisë, por më gjerë. Vlerësimet e tij të larta të popullaritetit janë kryesisht për shkak të mënyrës se si ai po e trajton luftën në Ukrainë. Në fakt, sipas raportimeve, shumë deputetë konservatorë po mblidhen rreth Wallace, kryesisht nga qendra. Megjithatë, ai ende deklaron se vëmendja e tij është e përqendruar në mbështetjen e Ukrainës, duke përmendur nevojën për unitet brenda partisë.

Së fundi, lartë në listën e pasardhësve të mundshëm është ministri aktual i Financave, Jeremy Hunt i cili konsiderohet si një person jashtëzakonisht i moderuar dhe ka kontestuar tashmë dy herë lidershipin konservator në vitet e fundit. Megjithatë, me deklaratat e tij gjatë fundjavës, ai e bëri të qartë se mbështet Liz Truss, duke theksuar se zëvendësimi i saj do të përkeqësonte klimën e paqëndrueshmërisë. 

liz truss kriza politike ne britani boris johnson sir graham brady

Sondazh

Poll