Aktualitet

Pedagogët rikthehen në protestë: Ftojmë nesër kolegët e të gjitha universiteteve

Sindikata ka ftuar kolegët e universiteteve, që të marrin pjesë në protestë, e cila do të nisë paradite në orën 11:00 pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

13 Tetor 2022, 19:13 Nga A.B
Pedagogët rikthehen në protestë: Ftojmë nesër
Protesta

TIRANË- Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë konfirmon se nesër do të rikthehen në protestë, ndërsa rritjen e pagës prej 7%, të njoftuar nga kryeministri Rama e quajnë “të papërfillshme”. Sindikata ka ftuar kolegët e universiteteve, që të marrin pjesë në protestë, e cila do të nisë paradite në orën 11:00 pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

NJOFTIMI I SINDIKATËS:

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) është e vendosur të vijojë mbështetjen e kërkesave të drejtuara Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe Rektorëve të IAL-ve publike edhe pas premtimeve të shpallura publikisht nga Kryeministri për rritjen e pagave të stafit akademik të IAL-ve publike deri në masën 7 % nga Buxheti i Shtetit.

SPUSH e quan të papranueshme këtë shkallë rritje, e cila nuk indekson as inflacionin e këtij viti e jo më atë të akumuluar dhe të pa indeksuar ndër vite. Ndërkohë, ne insistojmë në rritjen 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm si parakusht për të venë sado pak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve, përfshi stafin akademik dhe atë ndihmës. Kurse, kontributin me 8 % nga ana e Universiteteve e konsiderojmë të pamundur në kushtet aktuale të keq financimit të tyre si dhe reduktimit të tarifave dhe numrit të studentëve.

Mendimi i SPUSH është i qartë: – Tarifat e studentëve tu kthehen prapë atyre në shërbime, e jo të përdoren për paga personeli. Për të shprehur vendosmërinë tonë për realizimin e kërkesave të peticionit, ditën e Premte, më datën 14 Tetor, ora 11:00, të gjithë bashkë duhet të kërkojmë një vlerësim dinjitoz të punës sonë. Ftojmë kolegët e universiteteve në mbarë Shqipërinë të mbështesin me pjesëmarrje Protestën e datës 14 Tetor 2022, ora 11.00, para Universitetit të Arteve Tiranë. Mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në protestë garantohet nga ligji. E drejta për të protestuar është pjesë e të drejtave kolektive të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Sistemet demokratike bazohen tek të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut.

Pedagogët paralajmërojnë mos nisje të procesit mësimor më 17 Tetor nëse qeveria nuk do të marrë masa për të plotësuar kërkesat e tyre.

KËRKESAT:

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës (nuk është plotësuar)

-Rritja e financimit për kërkimin shkencor (nuk është plotësuar)
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ (nuk është plotësuar)
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë (nuk është plotësuar)
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit. (do shqyrtohet)
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”. (do shqyrtohet)
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike. (është rënë dakord)

protesta e pedagogeve

Sondazh

Poll