Politike

Komisioni i Sigurisë miraton ndryshime në ligjin për vetting-un në polici, opozita: Nuk është proces i besueshëm

Xhaferraj deklaroi se edhe pse kanë kaluar disa vite nga vettingu në polici, ka ende zyrtarë që janë të përfshirë në kanabis. 

11 Tetor 2022, 18:47 Nga A.B
Komisioni i Sigurisë miraton ndryshime në ligjin për vetting-un
Komisioni

TIRANË- Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi ditën e sotme disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Të ftuar për të bërë shpjegimin e projektligjit ishin Andi Mahila, zëvendësministër në ministrinë e Brendshme dhe Florian Sulejmani, drejtor i vetting-ut në AMP.

Mahila shpjegoi qëllimin e këtij projektligji, që sipas tij, “ka të bëjë me dhënien e një kontributi real për afirmimin e punonjësve profesionistë dhe me integritet të lartë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nëpërmjet zbatimit të parimit të integritetit, rritjes profesionale dhe garantimit të një karriere të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, duke krijuar në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme”.

Opozita, përmes deputetit Ferdinant Xhaferraj deklaroi se edhe pse kanë kaluar disa vite nga vettingu në polici, ka ende zyrtarë që janë të përfshirë në kanabis. 

'Ky projektligj nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se një hallkë tjetër në zinxhirin e instalimit të regjimit Rama. Ka katër vite që nga vettingu dhe numri i të larguarve është i papërfillshëm. I gjithë zinxhiri komandues i policisë ishte i përfshirë në kanabis, shumë nga ato drejtues janë ende në sistem, sepse janë të Ramës.Nuk ka një proces të besueshëm dhe të pavarur. Nuk ka një proces efektiv, se dikush që u shkarkua si i paaftë, i besohet vettingu i policisë. Ky projektligj nuk është asgjë më shumë se një projektligj që do të pastrojë policinë por do ta nënshtrojnë, në këtë kushte opozita nuk do të japë asnjë mbështetje '- tha Xhaferraj.

Bashkërelatorët e projektligjit Nasip Naço dhe Toni Gogu vlerësuan ngritjen e kësaj  strukturë të përhershme pranë AMP-së për vlerësimin kalimtar dhe periodik në vazhdimësi e cila do të kryejë një vlerësim të integruar të të gjithë komponentëve, pasuror, profesional, integritetit.

Vettingun e Policisë së Shtetit tashmë do ta bëj Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me në krye Ardi Veliun

komisioni i sigurise 11 tetor 2022

Sondazh

Poll