Aktualitet

IMT prish me fadroma një banesë në Shkozë, familjarët bëjnë rezistencë, Policia i nxjerr me forcë jashtë

Por fadromat kanë hasur rezistencën e familjarëve, të cilat refuzojnë që të dalin nga banesa e tyre.

6 Tetor 2022, 11:58 Nga I.A
IMT prish me fadroma një banesë në Shkozë, familjarët
Pamje nga banesa qe do prishet

TIRANË- Fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit po prishin një banesë ditën e sotme në Shkozë të Tiranës në kuadër të projektit të Unazës së Madhe. Por fadromat kanë hasur rezistencën e familjarëve, të cilat refuzojnë që të dalin nga banesa e tyre. Ata janë ngujuar brenda, ndërkohë që me inspektorët e IMT-së ka pasur dhe përplasje fizike.

Kryefamiljari Andrea Suli për mediat ka deklaruar se ka pranuar që t'i prishet shtëpia, por me kusht që të marrë nga pushteti lokal një kontratë qiraje. Për prishjen e kësaj banese familjarët kanë deklaruar se janë  njoftuar vetëm 2 javë para dhe se nuk kanë nxjerr as mobiljet nga banesa. Por pas disa orësh rezistencë familjarët kanë dalë nga banesa e tyre dhe kanë lejuar shembjen e saj. Ende nuk dihet nëse është arritur një marrëveshje mes familjes dhe autoriteteve për kërkesat e tyre, apo nxjerrja e tyre nga banesa është bërë me dhunë. 

Prej disa muajsh, banorët e kësaj zone kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe me pretendimin se është ndryshuar disa herë varianti origjinal i projektit. Ata kanë kërkuar disa herë takime me kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeministrin Edi Rama dhe autoritetet e tjera përkatëse në mënyrë që të dëmshpërblehen plotësisht për shembjen e banesave të tyre, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

unaza e madhe imt andrea suli

Sondazh

Poll