Politike

Kulisat/ Nga Presidenca tek selia e PD, të gjithë në pritje të vendimit të Apelit

Sjellja e Metës si e një ‘katalizatori’ ngre shumë pikëpyetje…

4 Tetor 2022, 20:54 Nga F.M
Kulisat/ Nga Presidenca tek selia e PD, të gjithë në pritje
Bajram Begaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha

TIRANË- Zgjedhjet lokale nuk kanë ende një datë, por kampet kanë nisur lëvizjet. Ai që duket se po e shmang kryedemokratin Sali Berisha është Presidenti Bajram Begaj, i cili nuk e konsideroi për konsultimet e datës së zgjedhjeve, por iu afrua goxha. Takimi me Oerd Bylykbashin dhe udhëtimi i nesërm drejt Shkodrës për një bisedë me kryebashkiakun demokrat Bardh Spahia e tregojnë më së miri këtë gjë.

Sjellja e Metës si e një ‘katalizatori’ ngre shumë pikëpyetje…

Përse Meta zgjodhi të takonte Berishën para Presidentit?

Pse Begaj bëri përzgjedhjen që të shmangte Berishën?

Nëse takoi kryetarët e grupeve parlamentare, ashtu siç edhe bëhet zakonisht për zgjedhjet, me çfarë cilësie e takoi Bylykbashin?

Këto pyetje, po të lidhen me vendimin e afërt (nesër ose pasnesër) të Gjykatës se Apelit për PD-në, e bëjnë akoma më misterioze atë që ndodhi sot…

Nëse Presidenti është në dijeni të vendimit të Apelit dhe ai e njeh Berishen si kryetar të PD-së, atëherë pse nuk thirri Luciano Boçin?

Takimi ‘kokë më kokë’ mes Metës e Berishës u konkludua për 40 minuta, siç duket deklaratat e bëra publike më herët për kandidatë të përbashkët kishin qenë të mjaftueshme e nevoja ishte vetëm për një zyrtarizim.
Kandidatët janë të Partisë Demokratike, ndërsa Partia e Lirisë është e interesuar vetëm për Këshilltarët Bashkiakë. Megjithatë, Meta nuk e përjashtoi mundësinë e nxjerrjes së ndonjë kandidati nga PL-ja, ama me kushtin që ai ta ketë të sigurtë fitoren në zonën e ‘zgjedhur’.

Diskutimet nuk mund të jenë ndalur vetëm me lëvizjen e Opozitës, sigurisht që data e zgjedhjeve lokale është prekur. Në orën 12:00 Metën e priste Begaj në takim, ndaj ai ‘doktorit’ ia ka marrë një ide për ta përcjellë në zyrën vetëm 500 metra larg selisë blu.

Ndryshe nga mbledhja në PD, ku krah Metës ishte Vasili e ngjitur me Berishën, Flamur Noka, në zyrën e Kreut të Shtetit, lideri i PL-së u gjend i vetëm.

Ai u fut në kohën kur nga Begaj u nda Oerd Bylykbashi, i cili shtrëngoi duart me Kreun e Shtetit nën cilësinë e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Kokë më kokë me pasardhësin në zyrën ku kaloi 5 vite si President, Meta dha idenë e tij për datën e zgjedhjeve lokale.

Heshtje nga Meta, heshtje nga Begaj, heshtje dhe nga Bylykbashi…

Asnjë prej tyre nuk bëri prononcim, por bisedimet e gjeneralit-President me Partinë Demokratike e kalojnë Tiranën. Nesër ai udhëton drejt Shkodrës ku pritet të zhvillojë një takim me kryebashkiakun Bardh Spahia, të vetmin nga selia blu që gëzon këtë post pas zgjedhjeve të pjesshme lokale që u mbajtën më 6 mars.

bajram begaj ilir meta

Sondazh

Poll