Bota

Mbyllet votimi në Bullgari/ Exit poll-et e para i japin fitoren Bojko Borisov

Kështu pretendohet sipas exit poll-it Alpha Research. Sipas parashikimeve, pas 'Berb', pason partia e rivalit të tij, centristit Kirill Petkov, me 19% të votave.

2 Tetor 2022, 19:06 Nga k.m.
Mbyllet votimi në Bullgari/ Exit poll-et e para i japin fitoren Bojko
Bojko Borisov

SOFJE- Partia 'Gerb' e ish-kryeministrit Bojko Borisov është fituesja e zgjedhjeve bullgare duke siguruar 25% të votave, ndryshe 66 deputetë. Kështu pretendohet sipas exit poll-it Alpha Research. Sipas parashikimeve, pas 'Berb', pason partia e rivalit të tij, centristit Kirill Petkov, me 19% të votave, 52 deputetë. Në vendin e tretë renditet partia "DPS" – 37 deputetë, e pasuar nga "BSP për Bullgarinë" 27, "Ringjallja" 26 deputetë, "Bullgaria Demokratike" – me 21 dhe "Ka një popull", me 11 deputetë. Por për bullgarët sot u votua edhe në Shqipëri.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka thënë se në Shqipëri procesi ka nisur në orën 07:00, në pesë qendra votimi. Një në Tiranë në ambientet e Ambasadës së Bullgarisë, një qendër tjetër është hapur në Elbasan, pastaj në Korçë, në Durrës dhe Kukës. 

Megjithatë, edhe pse ka marrë fitoren, ka të ngjarë që Bojko Borisov ta ketë të vështirë të sigurojë partnerë për të formuar një qeveri. Ai u rrëzua me protesta, pasi akuzohej për korrupsion dhe kthim prapa në demokraci. 

Këto janë zgjedhjet e 4 në 2 vite. Përmbysja e kabinetit pro-perëndimor të kryeministrit Kiril Petkov, i cili mori detyrën dhjetorin e kaluar duke u zotuar për zero tolerancë për korrupsionin, ndihmoi në hapjen e rrugës drejt zgjedhjeve të reja. 

Kriza në Bullgari u thellua kur partia ITN e Slavi Trifonov u largua nga koalicioni qeverisës, i cili akuzoi Petkovin se e çoi vendin drejt falimentimit dhe se ishte dakordësuar fshehurazi me diplomatët perëndimorë që Bullgaria të hiqte veton për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Petkov, i cili mori një qëndrim të fortë kundër Rusisë pasi ajo pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, pohoi pas rrëzimit të qeverisë së tij se Moska përdori taktika të "luftës hibride" për të rrëzuar qeverinë e tij.

bojko borisov bullgari zgjedhjet ne bullgari

Sondazh

Poll