Politike

Salianji denoncon nga sheshi ‘Skënderbej’: Kulla shtoi 14 kate pa leje para selisë së PS

Duke e paralelizuar rastin me atë të 80-vjeçares në Vlorë që përfundoi në komisariat për një kotec pulash, deputeti i PD-së tha se kulla përballë selisë së partisë së kryeministrit Edi Rama ka marrë leje për ngritjen e 26 kateve, por ka shtuar edhe 14 të tjerë pa leje.

27 Shtator 2022, 11:46 Nga F.M
Salianji denoncon nga sheshi ‘Skënderbej’: Kulla shtoi 14 kate
Ervin Salianji

TIRANË- Deputeti i Partisë demokratike Ervin Salianji ka denoncuar ngritjen e kullave pa leje. I ndodhur në sheshin “Skënderbej” teksa drejtoi gishtin në një prej godinave të larta, Salianji tha se kullat po ngrihen edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, pavarësisht se nuk janë pajisur me lejen e posaçme. Salianji kërkoi të dinte nëse qeveria kishte marrë masa ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar me lejet e ndërtimeve. Duke e paralelizuar rastin me atë të 80-vjeçares në Vlorë që përfundoi në komisariat për një kotec pulash, deputeti i PD-së tha se kulla përballë selisë së partisë së kryeministrit Edi Rama ka marrë leje për ngritjen e 26 kateve, por ka shtuar edhe 14 të tjerë pa leje.

“Sa është numri i subjekteve të ndërtesave që kanë kryer shkelje të ndërtimit, i kemi kërkuar llogari. Sa është numri total i kallëzimeve që kanë referuar në prokurori për ndërtimet pa leje. A janë marrë masa për zyrtarët që kanë shkelur ligjin në lidhje me ndërtimet pa leje. Nëse po, atëherë kërkojmë të na vihen emrat. Kullat pa leje janë ngritur edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, leja u dha për 26 kate, por shkoi 40 kate. Ligji po zbatohet me dy standarte,”- tha Salianji ndër të tjera.

Pak ditë më parë qeveria, miratoi një vendim që tentonte të amnistonte ndërtimet pa leje të ndërtuesve të fuqishëm kundrejt konfiskimit ose duke iu ofruar të drejtën e blerjes me çmimin e tregut. Por vendimi anashkalon Kodin Penal, i cili i klasifikon ndërtimet e paligjshme si vepër penale, që dënohet deri në 8 vite burg. Me gjithë tentativën e qeverisë për amnisti, zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e territorit me sa duket kanë ngurruar të mbajnë përsipër riskun për të mos bërë kallëzim penal, pasi kjo i ngarkon me përgjegjësinë e moskallëzimit të krimit. Deri më tani janë konfiskuar dy ndërtime, ndërsa Pëllumb Salillari u bë biznesmeni i parë që kallëzohej penalisht pas aksionit të qeverisë ndaj ndërtimeve pa leje.

konfiskimi i kullave ervin salianji

Sondazh

Poll