Aktualitet

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Ndër të tjera, Qirjazi shtoi se firmën nuk ia ka kërkuar askush, por një shkresë e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes që në atë kohë drejtohej nga Gazmend Oketa, person i marrë në pyetje gjithashtu nga Prokurorët e Posaçëm.

26 Shtator 2022, 13:04 Nga a.b;f.m
Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM
Vladimir Qirjazi

TIRANË- Ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit Krimit të Organizuar (SPAK) për dosjen e privatizimit të ish-klubit ‘Partizani’. Qirjazi u mor në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani.

Në përfundim të marrjes në pyetje nga SPAK, ish-gjenerali Qirjazi foli para mediave dhe tha se ai vetë ka kryer çdo procedurë që i është konsideruar ligjore. Ndër të tjera, Qirjazi shtoi se firmën nuk ia ka kërkuar askush, por një shkresë e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes që në atë kohë drejtohej nga Gazmend Oketa, person i marrë në pyetje gjithashtu nga Prokurorët e Posaçëm.

“Unë i qëndroj versionit që kam kryer procedurë të ligjshme si shtetar i këtij vendi. Në çdo kohë që do të më jepej mundësia që të punoja për shtetin, do të bëja të njëjtën gjë që ka të bëjë vetëm me ligjet dhe forcimin e shtetit shqiptar. Asgjë tjetër. Absolutisht. Unë kam deklaruar atë praktikë pune që kam bërë me të gjithë stafin tim të linjës vertikale, horizontale por dhe të vartësve të mi me qëllim që gjithçka të ishte në përputhje me ligjet. Deri në momentin që kisha atë praktikë, kisha një praktikë që nuk përputhej me ligjin. Nuk e di çfarë është bërë më vonë. Jam pyetur për periudhën që kam qenë komandant i mbështetjes logjistike, nga korriku i 2008-s deri në shtator të 2009-s kur jam transferuar në një detyrë tjetër në Forcat e Armatosura. Unë s’kam pasur asnjë konflikt. Përkundrazi. Unë kam përdorur praktikën shkencore/ligjore me eprorët e mi dhe linjën e varësisë. Ministrin e Mbrojtjes, shefi i shtabit. Firmën nuk ma ka kërkuar asnjeri, firmën e ka kërkuar shkresa e ardhur nga Autoriteti i Ministrisë së Mbrojtjes. Ministër Mbrojtjeje në atë kohë ka qenë Gazmend Oketa. Kjo është një procedurë që ka zgjatur, ka goxha kohë që nga 2009. Unë nuk di se sa do të ndikojë. Unë ju thashë se kam bërë detyrën si shtetar i vendit tim. Nuk them dot se çfarë kanë bërë të tjerët. Të tjerët janë të tjerët, merrini dhe pyetini,”- tha Qirjazi.

Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon 'pastrim të produkteve të veprës penale'. Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa është marrë gjithashtu në pyetje nga SPAK. Ai pretendon se nuk ka shkelur ligjin, por pa dhënë më shumë detaje. Fatmir Mediu është pyetur gjithashtu, ndërkohë që pritet që në zyrat e SPAK të shkelë dhe vetë kryedemokrati Sali Berisha e dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi.

privatizimi i kompleksit partizani vladimir qirjazi

Sondazh

Poll