Aktualitet

FOTO- Anëtari i 8-të i Gjykatës Kushtetuese, Toska betohet para Presidentit: Do qëndroj besnik

Begaj i uroi suksese Toskës, në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

26 Shtator 2022, 12:11 Nga A.B
FOTO- Anëtari i 8-të i Gjykatës Kushtetuese, Toska betohet para
Ilir Toska dhe Bajram Begaj

TIRANË- Ditën e sotme, u betua para Presidentit Bajram Begaj, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Ilir Toska.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të tij nga Kreu i Shtetit, Gjyqtari Toska me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua para Presidentit Begaj se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Begaj i uroi suksese Toskës, në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, zv. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Binaj, Këshilltari Ligjor Rezident i OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Constantine Soupios si dhe kreu i Sektorit Politik në Delegacionin e BE-së në Tiranë Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Gjykata Kushtetuese është tashmë me 8 anëtarë. Ilir Toska ishte i fundit që u zgjodh, i cili do të zëvendësojë në detyrë gjyqtarin Gani Dizdari.

Tani Gjykata e Lartë propozon dhe ka të drejtë emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. Tre përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti. Aktualisht, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë: (Kryetarja) Vitore Tusha, (anëtarët) Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska.

gjykata kushtetuese ilir toska

Sondazh

Poll