Sport

Southgate, në ‘litar’! Tifozët duan largimin e trajnerit, para botërorit “Katar 2022’...

Mediat angleze paralajmërojnë se trajneri i kombëtares është në qendër të vëmendjes dy muaj para Botërorit, por ai vetë e konsideron veten, si njeriun e duhur për të menaxhuar këtë pozicion.

25 Shtator 2022, 12:23 Nga DOSJA

Southgate, në ‘litar’! Tifozët duan largimin e trajnerit,

ANGLI - Humbja 1-0 ndaj Italisë në ditën e parafundit të ndeshjeve të Nations League dhe zbritja e Anglisë në Ligën B të kompeticionit, ka krijuar shumë dyshime dhe kritika rreth figurës së Gareth Southgate, trajnerit të kombëtares britanike.

Disa media angleze, si 'The Sun', por dhe 'The Daily Mail', kanë bërë jehonë dhe raportuar ditët e fundit se Southgate është në fokusin e tifozëve anglezë. Rezultatet e dobëta të arritura në Nations League, ku ‘Tre Luanët’ nuk kanë mundur të fitojnë asnjë nga pesë ndeshjet e luajtura, do të thotë se kombëtarja angleze është e mbushur me dyshime për botërorin e Katarit.

Gareth Southgate ka dalë në udhëkryqin e këtyre dyshimeve duke mbrojtur pozicionin e tij para shtypit. Trajneri anglez këmbëngul, se ai është "personi i duhur për të udhëhequr projektin e Kupës së Botës së Anglisë", pavarësisht tri humbjeve në pesë ndeshjet e fundit dhe luhatjeve të qindra tifozëve, që kanë udhëtuar drejt Milanos për të parë ekipin e tyre, duke humbur 1-0 nga një Itali, që nuk është e kualifikuar në Kupën e Botës.

Vetë Southgate beson se ndeshja e së hënës së ardhshme kundër Gjermanisë në ‘Wembley’, e cila mbyll një Nations League katastrofike për të dyja skuadrat," mund të jetë një mundësi e fundit për lojtarët që të riarmatosen moralisht për Katar 2022".

Harry Kane, kapiteni i "Tre Luanëve", e ka mbrojtur trajnerin dhe ekipin. Sulmuesi i Tottenham, kapiteni i parë i kombëtares, ka dashur të qetësojë shpirtrat e tifozëve. "Unë e kuptoj zhgënjimin e tifozëve tanë, por ne nuk duhet ta gjykojmë ekipin përpara asaj që do të ndodhë në nëntor. Nëse kemi një turne të suksesshëm, mendoj se njerëzve nuk do t'u interesojë ajo që është folur gjatë gjithë verës dhe ky është fillimi për të pasur një Botëror të mirë”,- shpjegon Kane, i cili ruan besimin te skuadra e tij për të shkuar larg në Botëror.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll