Aktualitet

Artan Hoxha: Njerëzit e Ervis Martinajt i sabotuan Ramës takimin elektoral, e bllokuan në Lezhë

Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për fushatën e fundit që u zhvillua dhe se në hyrje të Lezhës, Ramës iu bë 'pritë' nga njerëzit e Martinajt e kreu i qeverisë nuk u la të futej.

21 Shtator 2022, 23:06 Nga F.M
Artan Hoxha: Njerëzit e Ervis Martinajt i sabotuan Ramës takimin
Artan Hoxha

TIRANË- Gazetari investigativ Artan Hoxha është shprehur se reagimi i kryeministrit Edi Rama në lidhje me misterin e Ervis Martinajt ka qenë i 'detyruar', bazuar edhe në përplasjet që kanë pasur bashkë. I ftuar në "Pressing", Hoxha tha se Martinaj ka bllokuar një takim elektoral që kryeministri Rama kishte planifikuar ta bënte në Lezhë. Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për fushatën e fundit që u zhvillua dhe se në hyrje të Lezhës, Ramës iu bë 'pritë' nga njerëzit e Martinajt e kreu i qeverisë nuk u la të futej.

"Kryeministri Edi Rama ka qenë i detyruar të reagojë. Mbas ka pasur një reagim në fushatë direkt, në fushatën e zgjedhjeve të kaluara, ku Edi Rama mbas një tentative për një takim elektoral në zonën e Lezhës, është bllokuar dhe është sabotuar nga njerëzit e Ervis Martinajt, është kthyer në mbrapsht dhe ka thënë para elektoratit të tij dhe ka thënë “ne e dimë që në atë makinë është ai drejtori i lojërave të fatit, ne e dimë targën”. Dhe thotë jo regjimi, por patronazhimi. Nuk është në stilin e Ramës që të ndërhyjë në ngjarje. Publikisht nuk merr përsipër akuza direkt,"- tha Hoxha. 

Sot është hedhur dritë mbi fatin e Martinajt. Ervis Martinaj, i shumëkërkuari që rezulton të jetë zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit është nxjerrë në pritë, sipas dosjes hetimore. Dyshimet janë se Martinaj është rrëmbyer në Durrës, e më pas të jetë vrarë. Makina me të cilën lëvizte ai, është gjetur e braktisur në Rrugën e Kombit. Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.

artan hoxha

Sondazh

Poll