Politike

“Shqiptarët dënohen për një kotec apo avlli”, Berisha: Rama është aksioner në çdo kullë

Berisha tha se shqiptarët po dënohen për një kotec pulash apo se ndërtojnë një avlli, ndërkohë që kur vjen puna te kullat e pallatet, ato amnistohen me urdhër të Ramës.

21 Shtator 2022, 13:37 Nga A.B
“Shqiptarët dënohen për një kotec apo avlli”,
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se kryeministri Edi Rama është aksioner në çdo kullë në vend. Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PD-së, Berisha tha se shqiptarët po dënohen për një kotec pulash apo se ndërtojnë një avlli, ndërkohë që kur vjen puna te kullat e pallatet, ato amnistohen me urdhër të Ramës.

'Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të ashtuquajtur qeveri, për pallate dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie, merren në mënyrë flagrante, funksionet e parlamentit, me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore, me vendim qeverie, bllokohet sistemi i drejtësisë, me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend. Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg. Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë. Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.

Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë. Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e aministisë. Rama bën vendimin e amnistisë së tyre, është provokacion i ulët, një dhunim flagrant i parlamentit. Për pallatet, misteri i Belindës, për kulla 8 katëshe mbi lejen, jo që nuk ka asnjë ndëshkim por ka legalizim mbi bazën e një pazari të turpshëm të Ramës. Qytetarët flasin se Rama është aksioner në çdo kullë, por një i ri që firmos një akt të tillë që shkelmon mbi kushtetutën, mbi atë penale të vendit, një kryeministër që bllokon, që nuk ka asnjë të drejtë as presidenti, për të falur ata që janë në proces gjyqësor.'- tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll