Bota

12 mln $ shpenzime/ I moshuari kundër funeralit për ish-kryeministrin japonez, i vë flakën vetes

Raportet e mediave thanë se protestuesi, i cili është rreth të 70-tave, rifitoi vetëdijen dhe i tha policisë se ishte lyer me vaj përpara se t'i vinte flakën vetes.

21 Shtator 2022, 09:23 Nga k.m.
12 mln $ shpenzime/ I moshuari kundër funeralit për ish-kryeministrin
Momenti kur i moshuari djeg veten

JAPONI- Një burrë ka djegur veten pranë zyrës së kryeministrit japonez, me sa duket në shenjë proteste kundër funeralit shtetëror që do mbahet javën e ardhshme për ish-kryeministrit të vendit, Shinzo Abe. Burri, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, fillimisht ra pa ndjenja në tokë, pasi pësoi djegie në të gjithë trupin.

Raportet e mediave thanë se protestuesi, i cili është rreth të 70-tave, rifitoi vetëdijen dhe i tha policisë se ishte lyer me vaj përpara se t'i vinte flakën vetes. Një shënim në të cilin ai thoshte se "kundërshtonte fuqishëm" funeralin u gjet pranë vendit të ngjarjes.

Kundërshtimi ndaj funeralit shtetëror të 27 shtatorit është rritur që kur vdekja e Abe nxorri zbulime rreth lidhjeve të partisë qeverisëse Liberal Demokratike me kishën e Unifikimit, anëtarët e së cilës njihen si 'Moonies'. Madje, Tetsuya Yamagami, pretendoi se kjo ishte arsyeja se përse e vrau ish-kryeministrin.

Yamagami tha se familja e tij ishte zhytur në varfëri 20 vjet më parë kur nëna e tij, një anëtare e kishës, dhuroi shuma të mëdha parash për organizatën. 

Vetë Abe nuk ishte anëtar i kishës, por dërgoi një video-mesazh urimi vitin e kaluar. 

Kisha, e themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga mesia i vetëshpallur Sun Myung Moon, u inkurajua nga gjyshi i Abe dhe kryeministri i pasluftës, Nobusuke Kishi, të hapte një 'degë' edhe në Japoni si një kundërvënie ndaj komunizmit dhe sindikalizmit. 

Organizata, e njohur për dasmat e saj masive, është akuzuar se u ka bërë presion besimtarëve që të bëjnë donacione që nuk mund t'i përballojnë – pretendimet që ajo i ka mohuar.

Skandali ka dëmtuar edhe kryeministrin Fumio Kishida, i cili deklaroi mbështetjen e tij për një funeral shtetëror, por një sondazh i Mainichi Shimbun i kryer në fundjavë tregoi se mbështetja kishte rënë me 6 pikë nga fundi i gushtit.

Në fillim të këtij muaji qeveria tha se shërbimi në sallën Nippon Budokan në Tokio do të kushtonte të paktën 1.7 miliardë ¥ (12 milionë dollarë), ku shumica e parave do të shkonte për një operacion të madh sigurie. Të ftuarit jashtë shtetit pritet të jenë nënpresidentja e SHBA, Kamala Harris dhe kryeministri australian, Anthony Albanese. Në total, pritet të marrin pjesë rreth 6000 njerëz.

Por shumë liderë aktualë dhe ish-liderë nuk do të jenë të pranishëm, përfshirë Barack Obaman, i cili në vitin 2016 u shoqërua nga Abe kur u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA që vizitoi Hiroshimën./TheGuardian

japoni

Sondazh

Poll