Politike

Sulmet kibernetike, Stoltenberg flet me Ramën: NATO ofron mbështetje për Shqipërinë

Lajmin e ka bërë me dije vetë Stoltenberg në rrjetet e tij sociale, ku shkruan se NATO do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë.

14 Shtator 2022, 19:40 Nga k.m.
Sulmet kibernetike, Stoltenberg flet me Ramën: NATO ofron mbështetje
Edi Rama dhe Jens Stoltenberg

BRUKSEL- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama. Në fokus të bisedës kanë qenë sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë nga Irani. Lajmin e ka bërë me dije vetë Stoltenberg në rrjetet e tij sociale, ku shkruan se NATO do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë.

"Fola me kryeministrin Edi Rama lidhur me sulmet kibernetike kundër Aleatit tonë në Shqipëri, të cilat shumë aleatë ia kanë atribuar Iranit. NATO do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe qëndron në solidaritet të plotë me Shqipërinë,"-shkruan sekretari i përgjithshëm.

Nga ora 20:00 e datës 9 shtator sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar u godit nga një sulm kibernetik. Në fillim u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar "Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK". Menjëherë kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Kreu i ekzekutivit u shpreh se po punohej me aleatët që sistemet të mbetën të pa penetrueshme nga sulmet dhe një ditë më pas sqaroi opinionin publik se asnjë e dhënë nuk është prekur nga sulmi. Më herët vendi ynë shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas vërtetimit të akuzave se ishte pikërisht Irani ai që fshihej pas sulmeve kibernetike më datë 17 korrik që nxorrën jashtë funksionit faqen e shërbimeve qeveritare e-Albania duke rrezikuar seriozisht sigurinë kombëtare për shkak të të dhënave të qytetarëve që mund të ekspozoheshin.

jens stoltenberg edi rama irani sulmon shqiperine

Sondazh

Poll