Politike

Dosja Muzin, Berisha: Rama mbante peng opozitën. Kjo kohë ka marrë fund. S'do vijmë në pushtet me dhunë

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama, të cilin e quan dhunues dhe armik të votës së lirë, donte të mbante peng opozitën që të vazhdonte pafundësisht.

14 Shtator 2022, 18:40 Nga k.m.
Dosja Muzin, Berisha: Rama mbante peng opozitën. Kjo kohë ka
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha, në një takim me banorët e Shijakut, ka rikthyer në vëmendje dosjen Muzin dhe financimet ruse në Partinë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama, të cilin e quan dhunues dhe armik të votës së lirë, donte të mbante peng opozitën që të vazhdonte pafundësisht. Po ashtu, kryedemokrati tha se shqiptarët do të ndëshkojnë kryeministrin dhe do të sjellin demokratët në pushtet. Megjithatë në akuzat e tij, u vu re që Berisha nuk e përmendi me emër paraardhësin e tij, ish-kryedemokratin Lulzim Basha. 

“Pse ikin prap. Faktori më kryesor është se njerëzit konstatojnë se ky dhunon votën. Është armik i votës së lirë. Është armik i opozitës, i demokracisë. Ky për sistemin e votave ndërtoi sistemin e patronazhistëve. Ky bëri gjithçka për të shkatërruar, asgjësuar opozitën. Ju lexuat sot besoj, se në çfarë labirintesh ishim futur ne si PD. Si në filmat e mafias. Dhe ai, bënte gjithçka jo që të bënte hetimin e plotë, por se si të kapte peng opozitën, sepse me një opozitë të marrë peng, ai vazhdonte pafundësisht. Kohërat kanë ndryshuar. Ka një vetëdije të madhe sot te qytetarët shqiptarë se ky person është realisht një armik i lirive të tyre. Është realisht një hajdut që historia e Shqipërisë nuk e ka pasur kurrë të tillë, të pasurive të tyre. Është një armik i demokracisë. Është mision i madh për ju, për çdo qytetar, për çdo demokrat që të bëjmë gjithçka për rrëzimin e tij. Ne nuk vijmë në pushtet me dhunë kurrë, por vijmë në pushtet me votën e lirë. Ne do të jemi misionarë që do ti bëjmë shqiptarët të votojnë të lirë. Nëse këtu votohet si qytetar të lirë, njerëzit mund të lëvizin, por ju garantoj shumë herë më pak seç ndodh tani. Sepse ata që akumulojnë pakënaqësi, rrijnë, presin zgjedhjet, votojnë dhe ndërrojnë qeverinë. Kurse kështu ky do të vrasë shpresën për ndryshimin e qeverisë. A mund ta pranojmë ne këtë, kurrë. Ndaj dhe këtu nga Shijaku, u bëj thirrje, demokratëve dhe demokrateve të kësaj zone dhe mbarë shqiptarëve, të bëjmë gjithçka në një kohë sa më të shkurtër, të përzëmë Edi Ramën nga pushteti në mënyrë që ai të mos përzëjë shqiptarët nga Shqipëria,”-tha Berisha.

Çfarë ndodhi sot?

Një raport i inteligjencës amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha, i cili është akuzuar shumë herë publikisht për dosjen ‘Muzin’. Gjithçka erdhi pasi firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin.

sali berisha lobingu rus ne shqiperi

Sondazh

Poll