Politike

Reforma territoriale, Berisha: Po përgatisim variantin tonë, shqiptarët të na votojnë masivisht për ta miratuar

Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që t'i votojnë masivisht për të bërë të mundur rikthimin e kësaj ndarje të re territoriale, e cila sipas tij është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë,

14 Shtator 2022, 12:40 Nga F.M
Reforma territoriale, Berisha: Po përgatisim variantin tonë,
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se po përgatisin një ndarje të re territoriale, pavarësisht se deklaroi se kryeministri Edi Rama do të bëjë çmos që të mos votohet. I pranishëm në mbledhjen e PD-së, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që t'i votojnë masivisht për të bërë të mundur rikthimin e kësaj ndarje të re territoriale, e cila sipas tij është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë,

"Qytetarët shqiptarë mund të shtojnë pyetjen: ju nuk keni votat, pse angazhoheni në këtë proces.
Pyetja është e drejtë. Por ne angazhohemi në këtë proces sepse reforma territoriale është jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarin shqiptar. Ne përgatisim variantin tonë, të cilin e kemi shumë të qartë se me një armik të lirisë së shqiptarëve, si Edi Rama, që bën gjithçka për të dominuar dhe sunduar vullnetin e tyre, kjo platformë nuk do miratohet.
Por ama, një votim masiv i shqiptarëve për PD-në dhe opozitën, bën të mundur rikthimin e kësaj ndarje të re territoriale, e cila është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë, pasi dihet se me progresivin drejt BE-së, bashkëpunimi i rajoneve është një nga bashkëpunimet më të rëndësishme në kuadër të këtij integrimi. Europa është Europa e rajoneve. Shqipëria do i përshtatet këtij standardi evropian me platformën që kemi përgatitur,"- tha Berisha. 

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë rifutur në debat përsa i përket Reformës Territoriale. Kjo pasi selia rozë i qëndron ndarjes aktuale territorial të Shqipërisë, ndërsa ajo blu ka bërë një tjetër propozim. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe. Ndërsa, Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike që mbështesin Enkelejd Alibeajn propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe, Grupi i PD propozon rigrupimin në 6 rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë. Disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq, ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz; Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.

sali berisha reforma territoriale

Sondazh

Poll