Politike

Lobingu rus në PD, Bardhi: Unë mbaj përgjegjësi për veprimet e mia, Basha e dha komentin e tij

Bardhi u pyet për raportin amerikan dhe tha se nga raportimet nuk kishte asgjë të re e se nuk është gjë tjetër veçse një thashethem i përsëritur. 

14 Shtator 2022, 11:28 Nga F.M
Lobingu rus në PD, Bardhi: Unë mbaj përgjegjësi për
Gazment Bardhi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me raportin amerikan që konkludonte se Partia Demokratike ishte financuar me 500 mijë dollarë nga Rusia në vitin 2017, kur drejtohej nga Lulzim Basha. Teksa fliste nga Kuvendi, Bardhi u pyet për raportin amerikan dhe tha se nga raportimet nuk kishte asgjë të re e se nuk është gjë tjetër veçse një thashethem i përsëritur. 

"Së pari unë njihem si Gazment Bardhi dhe mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin, ajo që ju po thoni sot nuk ka asgjë të re, por i referohet diçkaje të vjetër. Për këtë gjë ka pasur një reagim nga ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha para se të futesha në këtë konferencë. Ai lajm nuk është i ri, ai është një lajm dhe thashethem i bërë prej kohësh që ka marrë një përgjigje nga Basha dhe s’kam një koment shtesë. Nëse lexon artikullin thotë që është thashethem. Mediat që financohen nga paratë e oligarkëve të lutëm më shumë interes për këto. Këtyre mediave iu referohem unë të cilat janë bërë njësh me sistemin, të cilët vazhdojnë dhe riciklojnë të njëjtën përgjigje. Nuk thashë as nuk e besoj VOA-n, as e besoj, sikundër paralelja që hiqni ju nuk qëndron. Për Berishën ka vendim të DASH, për ne partneriteti me SHBA është i një rëndësie strategjike. Nuk thash asnjë nga komentet që ju i jepni mundësi vetes. Unë nuk thashë as uk e besoj dhe as nuk mbajta qëndrim. Është një e dhënë e ripërsëritur. Nuk kishte asnjë dokument apo të dhënë shtesë të ndryshme nga ato që publiku shqiptar ka dhënë më parë. Në 2017 nuk kam patur asnjë funksion në PD,"- tha Bardhi. 

Çfarë ndodhi sot?

Një raport i inteligjencës amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha, i cili është akuzuar shumë herë publikisht për dosjen ‘Muzin’. Gjithçka erdhi pasi firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin.

gazment bardhi rusia financon pd lobingu rus ne shqiperi

Sondazh

Poll