Politike

Rama për mediat austriake: Rusia ka ndikim në Ballkan, Serbia nuk do të mbijetonte dot pa të

Kryeministri thotë se pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë.

14 Shtator 2022, 10:58 Nga F.M
Rama për mediat austriake: Rusia ka ndikim në Ballkan, Serbia nuk do
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i shqetësuar për ndikimin rus në rajon, por kërkon mirëkuptim për Serbinë e madje shprehet se nuk duhet harruar që Beogradi ka votuar tre herë kundër Rusisë në OKB. Në një intervistë për Die Presse, kryeministri thotë se pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë e se qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiç nuk do t'i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë. 

Pjesë nga intervista:

Die Presse: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i shqetësuar për ndikimin rus në rajon, por tregon mirëkuptim për kursin antisanksional të Serbisë. Shqipërisë i duhen ende vite për t'u anëtarësuar në BE. Kryeministër, sa e kërcënon lufta në Ukrainë stabilitetin dhe paqen në Ballkan?

Edi Rama: Ai është një kërcënim potencial për rajonin tonë. Sepse në pjesë të Ballkanit, Rusia tradicionalisht ka një ndikim të fortë. Kjo vlen veçanërisht për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën Srpska në Bosnje-Hercegovinë.

Die Presse: Çfarë do të thotë kjo për politikën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Edi Rama: Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbajtur kërcënimin e mundshëm jashtë Ballkanit. Prandaj, nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë. Për më tepër, qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiç nuk do t'i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia tashmë ka mbajtur qëndrim. Nuk duhet të harrojmë se Beogradi tashmë ka votuar tre herë kundër Rusisë në OKB. Kjo është një surprizë e madhe. Është gjithashtu një shenjë se ka një vullnet të fortë në Beograd për t'u integruar në BE.

edi rama die presse

Sondazh

Poll