Bota

Tjetër sulm kibernetik në Kosovë, Telekomi mbetet pa shërbim, qeveria: S'janë cënuar të dhënat

Platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, e Policisë së Kosovës dhe shumë media, kanë qenë pre e sulmeve kibernetike gjatë javës që shkoi.

13 Shtator 2022, 15:41 Nga d.a.
Tjetër sulm kibernetik në Kosovë, Telekomi mbetet pa
hakerat

KOSOVË- Telekomi i Kosovës ka rënë pre e sulmeve kibernetike gjë që ka shkaktuar ndërprerjen e shërbimit të internetit që nga ora 8 e mëngjesit. Ndaj si pasojë e sulmit, kompania ka ndërprerë shërbimet për të siguruar të dhënat e klientëve.

Për shkak të pamundësisë për ta ndalë sulmin, Telekomi ka ndërprerë shërbimet,”- ka konfirmuar për KOHËN, drejtori teknik në Telekom, Halil Krasniqi.

Lidhur me ngjarjen reagoi dhe qeveria e Kosovës. Me anë të një deklarate pë shtyp,  ekzekutivi i Kosovës shprehet se me ndihmën e ekspertëve të jashtëm e kanë tejkaluar dhe këtë sulm kibernetik. Qeveria thotë se sulmi “ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare”.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël,”-ka bërë me dije Qeveria.

Ndërkohë qeveria e Kosovës sqaron publikun se situata është normalizuar dhe se shërbimnet janë kthyer në punë dhe po funksionojnë pa pengesa. 

Përveç Telekomit, platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, e Policisë së Kosovës dhe shumë media, kanë qenë pre e sulmeve kibernetike gjatë javës që shkoi. Sulmi në Kosovë vjen vetëm pak ditë pas sulmit kibernetik që Irani nisi mbrëmjen e 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS në Shqipëri duke shkaktuar kaos në të gjitha pikat kufitare të vendit.

Sulmi kibernetik vuri në alarm jo vetëm Shqipërinë por dhe rajonin duke marrë parasysh se sulmet kibernetike kohët e fundit kanë qenë prezente në rajon. Kosova u godit nga një tjetër sulm kibernetik vetëm 7 ditë më parë ku sërish u sulmuan institucionet shtetërore të vendit. Ndërkohë ditën e sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ndërpreu një konferencë për shtyp në Prishtinë për t'u nisur me urgjencë drejt Tiranës për të zhvilluar një takim me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Në takimin "kokë më kokë" që zgjati rreth 2 orë besohet se në fokus të bisedimeve mund të ketë qenë dhe siguria kibernetike duke marrë parasysh sulmet e fundit të ndodhura në të dy vendet.

telekomi i kosovës sulm kibernetik ne kosove halil krasniqi

Sondazh

Poll