Aktualitet

Zgjidhet anëtari i 8-të i Gjykatës Kushtetuese, Toska zëvendëson Dizdarin

Në përfundim të procesit të votimit, komisioni zgjodhi me 13 vota, Ilir Toskën.

12 Shtator 2022, 10:58 Nga A.B
Zgjidhet anëtari i 8-të i Gjykatës Kushtetuese, Toska
Mbledhja

TIRANË-Gjykata Kushtetuese është tashmë me 8 anëtarë. Ditën e sotme, u zhvillua mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e cila zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në përfundim të procesit të votimit, komisioni zgjodhi me 13 vota, Ilir Toskën, i cili do të zëvendësojë në detyrë gjyqtarin Gani Dizdari.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË LARTË:

Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, te ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 12 shtator 2022, ora 10.00, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në përfundim të procesit të votimit, komisioni renditi të parin z. Ilir Toska me 13 (trembëdhjetë) vota. Në këto kushte, z. Ilir Toska zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.

Me zgjedhjen e Toskës, Gjykata Kushtetuese bëhet me 8 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. Tre përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë: (Kryetarja) Vitore Tusha, (anëtarët) Marsida Xhaferllari,  Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska.

gjykata kushtetuese ilir toska

Sondazh

Poll