Sport

“Do t'i shkoj deri në fund kësaj historie, s’kam asgjë me Shqipërinë. Elez Gjozën do ta çoj në gjyq, do të kërkoj të shkarkohet”

Pirro Dhima, ish-kampioni olimpik, sekretar i Federatës Greke të Peshëngritjes dhe zv.president i Federatës Botërore të Peshëngritjes, ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për akuzat në drejtim të tij nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

6 Shtator 2022, 15:25 Nga DOSJA

“Do t'i shkoj deri në fund kësaj historie, s’kam

TIRANE - Rasti i dopingut të Evangjeli Velit ka shërbyer për të shndërruar marrëdhëniet mes Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe asaj greke, në një fushë-betejë kërcënimesh akuzash që shumë shpejt pritet të shkojnë në gjyq. Në ‘Top Channel’ presidenti i FSHP-së Eleze Gjoza akuzoi Odise Dhimën, vëllain e Pirro Dhimës, si personin e dyshuar për dopingun e sportistes shqiptare, që jeton dhe stërvitet në Greqi prej vitesh.

Ndërkohë i kontaktuar nga ‘Top Channel’, Pirro Dhima, ish-kampioni olimpik, sekretar i Federatës Greke të Peshëngritjes dhe zv.president i Federatës Botërore të Peshëngritjes ka vendosur t’i përgjegjet këtyre akuzave me të njëjtin ton.

“Kemi filluar procedurat për ta çuar Elez Gjozën në gjyq, veç unë dhe veç vëllai im, Odisea. Mund të merrej vetëm me vëllain tim, por më ka përfshirë mua me qëllim. Unë s’jam më thjesht Pirro Dhima, jam zv.presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes. Këtu, nuk po më shan vetëm mua, por edhe Federatën Botërore. I ndodhin gjithmonë gjëra me dopingun atij dhe fajin ia kam unë, për çfarë e kam fajin unë?

Do t'i shkoj deri në fund kësaj historie, kudo që kam mundësi, në Federatë Botërore, në Agjencinë e Antidopingut, do ta çoj edhe në një arbitrazh të Federatës Botërore që është e pavarur, do të kërkoj që të mos jetë më president. Do të bëj ça kam në dorë që të mos e lejoj më atë njeri të hapi gojën e të thotë gjëra si këto, jo vetëm për mua por për çdo njeri. Ai flet dhe nuk respekton as sportistët, as askënd”.

 Për faktin e akuzave si anti-shqiptarë Pirro Dhima shton: “Gjithmonë Elez Gjoza më ka parë si anti-shqiptar, por unë s’kam asgjë me Shqipërinë, apo sportistat shqiptarë. Gjithmonë i kam thënë: "Doni të vini për stërvitje, hajdeni pa pagesë, ca ju duhet? Doni shtanga? Merrini, ça t'ju duhet merreni..." Ça t‘i bëj më,”- përfundon i indinjuar ish-kampioni për ‘Top Channel’.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll