Politike

Meta kallëzoi Autoritetin e Dosjeve, Balla: Shantazhi absurd është arsye për të dyshuar fort se është spiun

Balla thotë se të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij, Genta Sula kanë të gjithë respektin e mbështetjen në punën e tyre.

1 Shtator 2022, 12:55 Nga A.B
Meta kallëzoi Autoritetin e Dosjeve, Balla: Shantazhi absurd
Taulant Balla

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas kallëzimit nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj Autoritetit të Dosjeve. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla thotë se të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij, Genta Sula kanë të gjithë respektin e mbështetjen në punën e tyre. Po ashtu, ai shton se reagimi i Metës shton më shumë dyshime se ai nuk është asgjë më shumë se atë që mendon e gjithë Shqipëria: spiun.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe sot janë kallzuar nga Ilir Meta si falsifikatorë dhe si vegla të pushtetit, ju sugjeroj miqësisht ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi! Të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij zonja Genta Sula kanë të gjithë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre. Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria. Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre. Ndërsa Ilir Meta që s'po le gjë pa bërë, pse dreqin s'po e bën gjënë më të thjeshtë në botë: Kërkesën për hapjen e dosjes së tij! Apo është peng i spiunit I.M?

Ditën e sotme Meta bëri të ditur se ka kallëzuar penalisht në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës anëtarët e Autoritetit të Dosjeve pasi emri i tij doli si bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Meta deklaron se Autoriteti ka manipuluar dhe falsifikuar dosjet e ish-sigurimit të shtetit për llogari të kryeministrit Edi Rama.

 

ilir meta taulant balla

Sondazh

Poll