Sport

Taulant Seferi tregon ditët e para të aventurës së tij ukrainase, e cila është nën kërcënimin e bombave të luftës me Rusinë…

“Jam ndjerë shumë mirë, duket sikur kam kohë që jam pjesë e tyre. Frikë nuk kam, sepse në këtë qytet ku jemi, që quhet Uzhhorod, është gjithçka normale dhe nuk ka asnjë lloj paniku, asnjë lloj frike”.

29 Gusht 2022, 15:33 Nga DOSJA

Taulant Seferi tregon ditët e para të aventurës së tij

TIRANE - Taulant Seferi, një nga golashënuesit e edicionit të shkuar të Kategorisë Superiore me 19 gola, ishte i treti lojtar, pas Tores dhe Tolit, që ju bashkuar Vorskla Poltavës në Ukrainë, për të filluar një sfidë të re, pavarësisht kërcënimit të luftës atje. Në intervistën e tij për Top Channel, Taulanti tregon këtë aventurë të re, të rrezikshme në dukje.

“Sapo mora lajmin se është interesuar Vorskla fola me familjen time, sepse siç e dini familja dhe prindi mendon ndryshe për fëmijën e tyre dhe kishin dilema. Por unë fola edhe me klubin këtu dhe ata më thanë, se këtu ku jemi në Uzhhorod nuk ka asnjë problem dhe ne do t’i luajmë këtu shumicat e ndeshjeve. Atëherë thash me vete, ‘Ok’ ta provoj këtë hap, pse jo, është kampionat i fortë”.

Po si ishte udhëtimi drejt një vendi, një pjesë e së cilit është i bombaruar dhe vazhdon të qëndrojë nën kërcënimin e bombave?

“Kam bërë tre fluturime për të ardhur këtu, nga Shkupi në Stamboll, më pas nga Stambolli në Vjenë dhe nga Vjena në Kozicec, që është 1.5 orë nga Uzhhorod. Dita e parë ishte mirë, natën e parë erdha vonë, të nesërmen kishim ndeshje dhe fola pak me trajnerin. Çunat më kanë pritur shumë mirë, pra atmosfera është shumë e mirë këtu, pavarësisht se kemi humbur dy ndeshjet e para. Por unë jam ndjerë shumë mirë, duket sikur kam kohë që jam pjesë e tyre. Frikë nuk kam, sepse në këtë qytet ku jemi, që quhet Uzhhorod është gjithçka normale dhe nuk ka asnjë lloj paniku, asnjë lloj frike”.

Prej dhjetorit të shkuar në Ukrainë nuk luhej më futboll për shkak të luftës dhe pushtimit rus që filloi në muajin shkurt. Por Federata e Futbollit të Ukrainës ka vendosur të rikthejë aktivitetin me 16 skuadra, me ndeshje që luhen vetëm rreth Kievit.

“Janë vetëm disa stadium ku lejohet të luhet, ne për shembull luajmë këtu në Uzhhorod dhe shumicën e  ndeshjeve i kemi këtu. Ndeshjet zhvillohen në mënyrë normale vetëm se janë pa tifozë”.

I keni ndjekur ndeshjet e Tiranës?

“Ndoqa Tiranën në ndeshjen e kësaj fundjave, por edhe në ndeshjen e kaluar dhe kam vënë re që është po ajo Tiranë dominuese. E kam thënë edhe më herët, te Tirana ka qenë grupi, jo Taulant Seferi, Enur Totre, apo Ardit Toli. Kështu që grupi, ka me qenë edhe sivjet ai që do të mbajë Tiranën lart. Më mungon gjithë shoqëria aty, klubi dhe qyteti normalisht, më mungojnë edhe tifozët, por ju e dini që secili futbollist ka dëshirë me luajtur në Europë apo sa më lart në karrierën e tij”.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll