Politike

Dy kuti plot, Kryemadhi nxjerr fotot e dosjeve që ka çuar në SPAK: Hetoni

Sipas Kryemadhit, çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin.

6 Gusht 2022, 09:00 Nga k.m.
Dy kuti plot, Kryemadhi nxjerr fotot e dosjeve që ka çuar në
Monika Kryemadhi

TIRANË- Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka publikuar një foto ku duken disa dosje të depozituara në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për aferën e inceneratorëve. Sipas Kryemadhit, çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin. Ndaj dhe ka bërë thirrje për hetimet nga prokurorët e SPAK për të gjitha denoncimet që mbajnë firmën e saj. 

"Çdo ditë që kalon, paratë që mund të shkonin për rritje pagash dhe pensionesh, shkojnë për llogari të zyrtarëve të qeverisë, përmes skemës së inceneratorëve. Çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëve, me paratë e gjakut të shqiptarëve. E përmes kësaj vjedhje të përditshme, pushteti tenton të korruptojë, manipulojë e kontrollojë edhe çdo qelizë tjetër në vend, që të vijojë i pashqetësuar vjedhjen.

Këto në foto janë dosjet e dërguara në SPAK përpara disa javësh, ku faktohet me të dhëna nga dokumente zyrtare, se vetëm evazioni fiskal i skemës së inceneratorëve kap vlerën 30 milionë dollarë, ndërsa me skema të ngjashme si inceneratorët, llogaritet një evazion fiskal 189 milionë dollarë. Ndërkohë, me fakte, shkresa dhe analizë profesionale, janë evidentuar më parë edhe të gjitha shkeljet proceduriale të zyrtarëve të inceneratorëve. Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë çështje. Zbardhja e inceneratorëve duke mos mbyllur sytë ndaj fakteve, duke kryer hetime me integritet larg intimidimeve apo joshjeve, si dhe ndjekja e parasë së korrupsionit, është pikënisje e një drejtësie të vërtetë e të pavarur në Shqipëri,"-tha Kryemadhi.

Dje, në një intervistë për VOA, kreu i SPAK, Arben Kraja tha se çështja e incineratorëve ështëshumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare, e po ashtu kanë edhe një volum i madh pune për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Por shtoi se kanë tre çështje penale për secilin nga incineratorët, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. 

monika kryemadhi

Sondazh

Poll