Aktualitet

Në kërkim prej qershorit, arrestohet dhe lirohet brenda ditës biznesmeni që tjetërsoi truallin në bregdetin e Sarandës

Brenda pak orësh nga ndalimi, Muçobega ka dalë para Gjykatës së Sarandës, ku ndaj tij gjyqtari Shkelzen Liçaj ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

5 Gusht 2022, 16:47 Nga F.M
Në kërkim prej qershorit, arrestohet dhe lirohet brenda ditës
Behar Muçobega

SARANDË- Biznesmeni Behar Muçobega, 40-vjecari që kërkohej nga autoritetet që nga 1 qershori është vënë në pranga nga policia. Mçobega është arrestuar në Qafë Botë, teksa kthehej nga Greqia në orët e para të mëngjesit të sotëm. Biznesmeni është një nga 9 personbat për të cilët Prokuroria e Sarandës lëshoi urdhër arreste, mes tyre zyrtarë të ASHK, Bashkisë, biznesmenë e qytetarë lidhur me tjetërsimin e 9920 m2 truall në bregdet. Behar Muçobega akuzohet për “falsifikim dokumentash”. Ai dyshohet si një nga përfituesit e një pjese të truallit.

Brenda pak orësh nga ndalimi, Muçobega ka dalë para Gjykatës së Sarandës, ku ndaj tij gjyqtari Shkelzen Liçaj ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Nga operacioni i 1 qershorit u arrestuan 6 persona dhe u shpallën në kërkim 3. Gjykata liroi 5 nga të arrestuarit duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndërsa në burg ka ngelur vetëm noteri Aleko Anagnosti. Në kërkim vazhdon të jetë ish-Drejtori i ASHK Sarandë Ardian Kola si dhe biznesmeni Bedri Muçobega, vëllai i atij që u arrestua sot.

10.599 m2 truall dhe një pallat 7 katësh janë vënë në sekuestro. Nga ana tjetër zyrës noteriale të Aleko Anagnostit iu vu zjarr 5 ditë pas arrestimit të tij duke djegur një pjesë të mirë të dokumentave që mund të zbulonin të tjerë emra të përfshirë në tjetërsimin e pronave.

behar mucobega prokuroria e sarandes

Sondazh

Poll