Aktualitet

Arrestimi i Asllanit në Korçë/ Sapo ka dalë nga burgu, ishte “porositur” për vrasje

Policia informon se 26-vjeçari, banues në Korçë, sapo ishte liruar nga burgu.

30 Korrik 2022, 11:41 Nga A.B
Arrestimi i Asllanit në Korçë/ Sapo ka dalë nga burgu,
Pamje nga arrestimi

KORÇË- Klajdi Asllani ishte porositur për të kryer një vrasje. Kështu njofton policia e shtetit, pas arrestimit të mbrëmshëm të të riut. Asllani u arrestua gjatë operacionit policor të koduar 'Matrix'. Policia informon se 26-vjeçari, banues në Korçë, sapo ishte liruar nga burgu. Ai u ndalua mbrëmjen e djeshme pasi u gjet me armë zjarri pistoletë e me fishekë në të. Asllani, sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me 26-vjeçarin. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se Asllani mbante me vete armë zjarri.

 

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Matrix”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Operacioni, i zhvilluar nga strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë. Qarkullonte i armatosur dhe gati për qitje, vihet në pranga 26-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.Procedohet penalisht në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe krehëri me fishekë në të. Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që kishte dalë muajt e fundit nga burgu, dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Matrix”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shërbimet e Policisë, falë koordinimit të veprimeve, kanë bërë të mundur lokalizimin 26-vjeçarit në lagjen nr. 14, Korçë. Ky shtetas, sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me shtetasin K. A. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se shtetasi K. A. mbante me vete armë zjarri. Vijon puna intensive, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, të cilat, për arsye hetimore, nuk i bëjmë dot me dije. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

klajdi asllani

Sondazh

Poll