Aktualitet

Vrasja e Saimir Jakut/ Në momentin e arrestimit, Dorian Keqi kishte në mjet nipin e Durim Bamit

Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se Ervin Bami, është nipi i Durim Bamit të Niklës, i skeduar nga policia për disa ngjarje kriminale dhe person që i ka shpëtuar disa atentateve mafioze.

28 Korrik 2022, 21:14 Nga k.m.
Vrasja e Saimir Jakut/ Në momentin e arrestimit, Dorian Keqi kishte në
Dorian Keqi dhe Saimir Jaku

TIRANË- Dorian Keqi nuk ishte i vetëm në makinë në momentin që u arrestua. Bashkë me të dyshuarin për vrasjen e Saimir Jakut dhe plagosjes së Gjergj Prengës, udhëtonte dhe Ervin Bami. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se Ervin Bami, është nipi i Durim Bamit të Niklës, i skeduar nga policia për disa ngjarje kriminale dhe person që i ka shpëtuar disa atentateve mafioze.

Në makinë ka qënë dhe një person i tretë E.Sanaj. Tre të rinjtë ishin duke udhëtuar me makinë, e cila drejtohej nga Dorian Keqi, kur janë ndaluar nga një postobllok policie i ngritur nga Drejtoria e Lezhës. Kur janë marrë në pyetje nga patrulla e Policisë, ata janë shprehur se kishin qenë në një lokal nate në zonën e Shëngjinit dhe se po ktheheshin në shtëpi në zonën e Krujës. Por për shkak se Dorian Keqi, ka qënë i dehur, ai është shoqëruar në Polici, ku i kanë marrë edhe gjurmët e gishtave.

Këto gjurmë janë çuar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore në Tiranë, ku pas krahasimeve ka rezultuar se ato përputheshin me dy gjurmë të fiksuara në një bidon me benzinë dhe një shkrepëse të gjetura jo shumë larg vendit ku është djegur makina, e përdorur nga autorët në vrasjen e ish-drejtorit të OST-së për veriun, Saimir Jaku dhe plagosjen e Gjergj Prengës.

Gjatë marrjes në pyetje Keqi u ka kërkuar hetuesve që ta linin të lirë, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me krimin, madje pretendon se bën një jetë të thjeshtë, si murator dhe punëtor krahu. Por pretendimet e tij nuk janë marrë parasysh as sot, pasi Gjykata e Lezhës, e cila ka pranuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Keqin, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të shtetasit Saimir Jaku, “Plagosjen e rëndë me dashje” në dëm të Gjergj Prengës dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

dorian keqi saimir jaku

Sondazh

Poll