Sport

"Erdha me autobus dhe eleminova Dinamon e Bukureshtit", Josa me mision të qartë në Rumani: Pres një...

Mirel Josa e sheh Vllazninë jo si skuadër favorite për kalimin e turit në Conference League përballë Universitatea Craiova.

27 Korrik 2022, 19:40 Nga DOSJA

"Erdha me autobus dhe eleminova Dinamon e Bukureshtit", Josa me mision

RUMANI- Mirel Josa e sheh Vllazninë jo si skuadër favorite për kalimin e turit në Conference League përballë Universitatea Craiova. Por në konferencën për shtyp në Rumani para sfidës, ai ka bërë të qartë se çdo gjë mund të ndodhë tashmë në futboll dhe ka marrë shkas pikërisht nga e kaluara e tij si futbollist.

NDESHJA- Mua më intereson entuziazmi se të luash pa entuziazëm, atëherë ke ardhur të humbësh ndeshjen. Ndaj kryesorja është entuziazmi, të gëzojmë futbollin. Pres një Universitatea e cila do të rritet cilësisht në fushën e vet, mund të jetë cilësisht më lart. Ndaj na bie si detyrë të mos luajmë si në pjesën e dytë në Shkodër, por edhe më mirë.

KUALIFIKIMI-Nëse mendojmë këtë, do të jemi shumë të gabuar. Të shohim çfarë do të bëjmë dhe dita nesër në darkë do të sjellë në konkluzione se çfarë bëmë. Nuk duhet të mendojmë në fillim për kalimin e turit, duhet të jemi me këmbë në tokë duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin.

UDHËTIMI I LODHSHËM- Udhëtimi si alibi? Nuk ka alibi. Këto ishin kushtet e udhëtimit tonë. Duhet të kemi parasysh që do i futem pak historisë në këtë drejtim. Në vitin 1986, skuadra ime ka luajtur kundër Dinamos së Bukureshtit dhe luanim në Kupën e Kupave dhe ishte turi i parë. Ju e keni shumë mirë parasysh nivelin e Dinamos së Bukureshtit në atë kohë. Ka pasur 9 lojtarë në ekipin kombëtar dhe trajner ishte Mircea Luçesku. Dhe skuadra jonë nuk kishte pretendime për t’u kualifikuar, duke ditur nivelin e kësaj skuadre.

Por qëlloi, ndaj e them që futbolli është shumë i çuditshëm, dhe fituam në Tiranë 1-0 me një gabim të portierit dhe kemi ardhur pa asnjë lloj pretendimi. Jemi nisur nga Tirana me autobus dhe me çfarë autobusi! Nuk ka nevojë t’ua them. Kemi fjetur një natë në Sofje, kemi kaluar kufirin në një vend me lumë afër, kemi ardhur në Bukuresht të hënën, kemi fjetur në hotel “Nacional”. Kemi luajtur pas dy ditësh, të mërkurën dhe kemi fituar ne 2-1. Prandaj që këto problemet e udhëtimit nuk janë asnjë gjë.

E.Ç (Dosja.al)

josa vllaznia

Sondazh

Poll