Bota

Lavrov vazhdon me propagandën: Masakra e Buchës si ajo e Reçakut, të inskenuara

Lavrov krahasoi masakrën e Buchës të kryer nga ushtria ruse në Ukrainë, me masakrën e Reçakut për të cilat tha se janë të dyja të inskenuara.

18 Korrik 2022, 13:08 Nga d.a.
Lavrov vazhdon me propagandën: Masakra e Buchës si ajo e
Sergei Lavrov

RUSI- Ministri i Punëve të jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka vijuar propagandën e tij duke e mohuar sërish masakrën e 15 janarit 1999 në Reçak të Kosovës ku forcat serbe masakruan dhjetëra shqiptarë.

Në një intervistë për Izvestia, krahasoi masakrën e Buchës të kryer nga ushtria ruse në Ukrainë, me masakrën e Reçakut për të cilat tha se janë të dyja të inskenuara.

Në vijim të shkrimit të tij, Lavrov përmendi rastin e masakrës së Reçakut, të kryer nga regjimi shovinist i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Lavrov pretendon se masakra e Reçakut nuk ekziston.

“Një grup inspektorësh të OSBE-së mbërrin në vendin e zbulimit të disa dhjetëra kufomave të veshur si civilë. Kreu i misionit menjëherë, pa asnjë hetim, bëri të ditur se bëhet fjalë për gjenocid, megjithëse nuk është mandat i një zyrtari ndërkombëtar të bëjë konkluzione të tilla”, shkroi Lavrov.

“NATO filloi menjëherë një agresion të armatosur kundër Jugosllavisë, duke shkatërruar qëllimisht urat, trenat e pasagjerëve dhe objekte të tjera civile. Më vonë, sigurisht rezultoi se të vrarët nuk ishin civilë, por militantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të maskuar në rroba civile”, vazhdoi Lavrovi të fyejë viktimat shqiptare.

Sipas tij Ukraina “po manipulon”, me ndihmën e perëndimit, e këtu e lidhi Reçakun duke thënë se pas asaj masakre ndodhi reagimi ndërkombëtar ndaj ish-jugosllavisë.

Nuk është hera e parë që njeriu i afërt i presidentit rus Vladimir Putin e mohon masakrën ku u vranë  45 shqiptarë civilë. Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

sergei lavrov masakra e recakut

Sondazh

Poll