Politike

Dosja 'Babale', Salianji: Do jem në çdo seancë gjyqësore, drejtësi e vonuar dhe e penguar

Salianji foli nga Korça.

3 Korrik 2022, 18:58 Nga F.M
Dosja 'Babale', Salianji: Do jem në çdo seancë
Ervin Salianji

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike ka treguar se do të jetë në seancën gjyqësore që pritet të zhvillohet nesër. I pranishëm në një takim me strukturat e selisë blu në Korçë për protestën e 7 korriku, Salianji ka folur edhe për përballjen në gjyq.

"Nesër unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër. Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike,"- u shpreh ai.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.

ervin salianji dosja babale

Sondazh

Poll