Politike

Çoi gazetarin në 'riedukim'/ Rama: Nuk legjitimohet liria e shkeljes së etikës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përsëri gazetarët të cilët i bëjnë pyetje, që sipas tij, konsiderohen jashtë normave të etikës.

3 Korrik 2022, 11:18 Nga A.B
Çoi gazetarin në 'riedukim'/ Rama: Nuk legjitimohet liria
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas sulmeve të marra pasi përjashtoi nga konferenca, gazetarin Klevin Muka, me shpjegimin se ai kishte bërë një pyetje joetike. Ditën e sotme përmes një postimi të bërë në 'Twitter', kreu i qeverisë thekson se nuk ka për të ndodhur ndonjëherë që të legjitimohet liria e shkeljes së etikës në prani të tij. 

Ai ka paralajmëruar përsëri gazetarët të cilët i bëjnë pyetje, që sipas tij, konsiderohen jashtë normave të etikës se nuk janë mirëseardhur në konferenca për mediat. Po ashtu, kryeministri thotë se qeveria nuk ka ndikuar në asnjë media, madje dhe kur shpifin.

POSTIMI I RAMËS:

E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave,që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni,gënjeni,sajoni,shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”,po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!

Kryeministri Edi Rama refuzoi t’i përgjigjej të premten pyetjes së gazetarit Klevin Muka, me shpjegimin se ai kishte bërë një pyetje joetike.

Do të kalosh në riedukim, si Ambrozia, për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Për pyetje të përsëritura, pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim. 3 muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh pas 3 muajsh në tetor” - i tha Rama.

edi rama

Sondazh

Poll