Politike

Legalizimi i kanabisit, PD: Projekt pabesie, jemi të shtatët në botë për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike 

PD shton se ky projekt është një dështim dhe se nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama do të bëhet koncensioni i radhës për monopolizimin e tregut. 

1 Korrik 2022, 15:25 Nga F.M
Legalizimi i kanabisit, PD: Projekt pabesie, jemi të shtatët në
Eleina Qirici

TIRANË- Partia Demokratike ka deklaruar se legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri është një tjetër projekt pabesie që kryeministri Edi Rama ka nisur. Në një deklaratë për mediat, anëtarja e kryesisë së PD-së, Eleina Qirici tha se PD-ja ndjen keqardhje për murin e turpit ku e varin Shqipërinë raportet ndërkombëtare, një prej tyre edhe ai për trafikimin e lëndëve narkotike, ku vendi ynë rezulton të jetë në vend të shtatë. Sipas Qiricit, Shqipëria nuk ka institucionet e kontrollit dhe balancës që mund të ketë Holanda e Amerika dhe për rrjedhojë, nuk ka siguri që ky proces do të administrohet siç duhet. Duke marrë si shembull Maqedoninë e Veriut, PD shton se ky projekt është një dështim dhe se nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama do të bëhet koncensioni i radhës për monopolizimin e tregut. 
 
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ANËTARJA E KRYESISË SË PD, ELEINA QIRICI:
 
Në një raport të Kombeve të Bashkuara për vitin 2022, Shqipëria renditet e shtata në botë për origjinën, nisjen dhe transitin e kanabisit për periudhën 2016-2019. Këtu nuk ka lajm, sepse raporti pasqyron një fakt që Partia Demokratike e thotë, e thekson, e bërtet prej kohësh. Partia Demokratike ndjen keqardhje për murin e turpit ku e varin Shqipërinë raportet ndërkombëtare, siç është edhe ky i fundit. Faji nuk është i raporteve, por i qeverisë në krye të vendit. Ajo që duam të theksojmë është se, kriza nuk zgjidhet duke hapur një krizë tjetër. Pasi i voli arat, kodrat dhe malet e Shqipërisë për 8 vjet, duke informalizuar ekonominë dhe kriminalizuar shoqërinë, Edi Rama ka gati një projekt tjetër pabesie. Me anë të një projektligji, të bërë publik së fundmi, ai kërkon të legalizojë kanabisin. Vendin e 7 në botë për prodhim dhe trafikim, kërkon ta fusë në thesin e legalizimit të lëndës narkotike. Nga cili pozicion e bën kritizerin Partia Demokratike? Së pari, Shqipëria e Ramës nuk është Amerika dhe as Holanda, me institucionet e kontrollit dhe të balancës. Pra, nuk ka siguri se, ai që shitet si legalizim për qëllime mjekësore, nuk është formalizim i trafikut të drogës. Së dyti, përvoja rajonale, në rastin e Maqedonisë së Veriut, ka treguar se një sipërmarrje e tillë është një dështim. Së treti, nga tradita e partneriteteve të qeverisë, ne dyshojmë se, me të njëjtat metoda dhe të njëjtët njerëz, nuk do kemi më shumë se koncesionin e radhës të tarafeve dhe monopolizimit. Me këto nisma, jo transparente, Shqipëria është në rrezik.

eleina qirici legalizimi i kanabisit ne shqiperi

Sondazh

Poll