Politike

VD-Komisioni për Reformën Territoriale, caktohen ekspertët teknikë! Mziu: Të bëjmë tur në rajon

Partia Socialiste ka propozuar Adelina Farricin dhe Artan Shkëmbin, ndërkohë që Dhurata Çupi propozoi në emër të PD-së Agron Haxhimalin dhe Roland Bejkon në cilësinë e ekspertëve teknikë.

29 Qershor 2022, 10:27 Nga A.B
VD-Komisioni për Reformën Territoriale, caktohen ekspertët
Komisioni për Reformën Territoriale

TIRANË- Caktohen ekspertët teknikë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar ‘Për Reformën Administrativo-Territoriale’. Në mbledhjen e sotme, palët politike kanë zbuluar dhe emrat e ekspertëve që do të asistojnë punimet. Partia Socialiste ka propozuar: Adelina Farricin dhe Artan Shkëmbin, ndërkohë që Dhurata Çupi propozoi në emër të PD-së, Agron Haxhimalin dhe Roland Bejkon. Ndërsa gjatë fjalës së saj në mbledhjen e sotme, bashkëkryetarja Denaj tha se javën që vjen palët të zhvillojnë nga 3-4 seanca dëgjimore në ditë më shoqërinë civile dhe eksponentë të tjerë jopartiakë, për të nisur zyrtarisht edhe procesin.

'Javën që vjen nëse biem dakord të zhvillojmë të paktën tre apo katër dëgjesa në ditë,'- tha Denaj, por u mbështet edhe nga Dhurata Çupi. Të pranishëm në seancat e Komisionit dhe një sërë institucionesh, përfshirë edhe 6 drejtues të bashkive të ndryshme në vend. Por me kërkesa specifike ishte Xhelal Mziu, i cili ka dhënë propozimin e tij që të përfshihen edhe risitë e shteteve të rajonit. Madje dhe që të bënin një tur në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në mbledhjen e kaluar u refuzua kërkesa që të shtoheshin ekspertët e grupeve parlamentare nga 4 në 6, ndërsa kryetarja e Komisionit Anila Denaj thotë se presin nga Kuvendi për një përgjigje formale nëse do të ketë shtesë në mënyrë që të mos pengohet fillimi i punës të ekspertëve që janë definuar.

Komisioni i Reformës Territoriale, caktoi të hënën, të martë e të mërkurë do të ketë seancë dëgjimore me 12 ekspertë të OJF, e gjithashtu do të vijnë dhe 7 kryetarë të bashkive, 6 janë propozuar nga PS dhe 1 nga PD.

Nga PS janë propozuar:

Erion Veliaj, Bashkia Tiranë

Eriselda Sefa, Bashkia Lushnje

Gledian Llatja, Bashkia Elbasan

Erion Isaj, Bashkia Kolonjë

Pjerin Ndreu, Bashkia Lezhë

Juliana Memaj, Bashkia Dimal

Nga ana tjetër deputeti Vangjel Dule propozoi të dëgjohet edhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano. Pjesë e dëgjesave do të jetë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe 12 organizata të shoqërisë civile, të cilat do e nisin raportimin e tyre të hënën.

Por si erdhi PD dhe PS në një tryezë për Reformën Territoriale?

Pasi dha votën pro për zgjatjen e afatit për organet e Vettingut, PD “shpalli” fitoren, pasi mori dakordësinë e maxhorancës për të ngritur një komision ku do të bëhen propozime dhe ndryshime për Reformën Territoriale. Më 10 shkurt, Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit dhe tashmë pritet që të enjten të bëhet zgjedhja e emrave që do të jenë pjesë e tij. Teksa PD kërkon të imponohet në këtë proces, për kryeministrin Edi Rama zgjidhja në rast mosdakordësie është referendumi. PD kërkon rikthimin e komunave dhe më shumë njësi vendore se 61 bashki që është aktualisht duke e cilësuar si hartë elektorale ndarjen aktuale që është bërë nga PS. Në vitin 2014, PS miratoi bashkë me LSI dhe PDIU Reformën aktuale Territoriale, e cila reduktoi numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki. Asokohe, Partia Demokratike e bojkotoi procesin dhe prej 8 vitesh kërkon një reformë të re.

anila denaj komisioni per reformen territoriale 29 qershor

Sondazh

Poll