Aktualitet

Iu arrestua djali? Zhaklina Peto: Erdhi në Itali se më vdiq nëna, puseta digjitale, s'kemi probleme me drejtësinë

Sipas Petos, Endi Çuçi punon prej shtatorit 2021 për EPO në Mynih, Gjermani (The European Patent Office - Zyra Europiane e Markave dhe Patentave).

17 Qershor 2022, 19:33 Nga F.M
Iu arrestua djali? Zhaklina Peto: Erdhi në Itali se më vdiq nëna,
Zhaklina Peto

TIRANË- Juristja Zhaklina Peto ka mohuar që djali i saj Endi Çuçi, fryt i martesës së saj të parë me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi të jetë arrestuar në Itali. Vizitën e të birit në maj të vitit 2021 kur vendi ishte mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19, Peto e justifikon me faktin se ka qenë bashkëm e të për tu kujdesur për nënën e saj që ka ndërruar jetë në vendin fqinj. Me bindje Peto shton se asnjë person nga familja e saj nuk ka probleme me drejtësinë italiane. Sipas Petos, Endi Çuçi punon prej shtatorit 2021 për EPO në Mynih, Gjermani (The European Patent Office - Zyra Europiane e Markave dhe Patentave).

Postimi i plotë i Zhaklina Petos:

Me shqetësim shumë të madh dhe tepër e indinjuar dua të përgënjeshtroj të gjitha akuzat e pavërteta dhe të shëmtuara të cilat kanë dalë në media dhe që drejtohen ndaj meje personalisht dhe djalit tim Endi Çuçi. Që ne fillim dua t’ju sqaroj se as unë dhe as djali im nuk kemi probleme me drejtësinë italiane pavarësisht përmendjes në mënyrë rastësore në një hetim të drejtësisë italiane që s’ka të bëjë fare me ne. Kjo është e cilësuar fare qartë edhe në fashikullin e hetimit të cilin e keni bashkëlidhur dhe po e citoj:
...“Në shqyrtimin e fakteve që lidhet me paragrafin në fjalë, bëjmë me dije që në fillim se elementet që kemi në dispozicion na ndalojnë, aktualisht, që të përcaktojmë ndonjë veprim me rendësi penale, në ngarkim të disa prej personave të përmendur (SOTIRI ROMEO, PETO ZHAKLINA, XHABAFTI SOKOL dhe CUCI ENDI), duke qenë se nga aktet e hetimit nuk figuron asnjë element që t’i lërë vend ngritjes së akuzave në të ardhmen”...
Unë kam qenë në Itali për t’u kujdesur për nënën time të sëmurë gjatë vitit 2021, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në 3 maj 2021 në Itali. Në datën 4 maj 2021 im bir erdhi në Itali dhe së bashku u kthyem në Shqipëri për t’i bërë nënës nderimet e fundit.
Askush nuk ka të drejtë që për qëllime tërësisht politike të na linçojë dhe dënojë publikisht. Unë iu kërkoj vetëm të mos hidhni baltë mbi djalin tim, një i ri i sapodiplomuar që sapo ka filluar të ecë në jetë dhe ndryshe nga çfarë shpifet nga puseta dixhitale, punon prej shtatorit 2021 për EPO në Mynih, Gjermani (The European Patent Office - Zyra Europiane e Markave dhe Patentave). Faleminderit!

Denoncimin për arrestimin e Çuçit e bëri kryedemokrati Sali Berisha, duke publikuar edhe përgjimet nga dosja. Sipas dokumenteve të publikuara nga Berisha, Endi Çuçi ka luajtur rolin e transportuesit në trafikimin e medikamenteve. Në aksionin e ndërmarrë nga Policia italiane, ishin të përfshirë edhe Aurel Vula (bashkëshorti i dytë i Zhaklina Petos) dhe Vladimir Peto, vëllai i ZHaklina Petos. Aksioni për goditjen e grupit të trafikut të medikamenteve, u finalizua javën që shkoi edhe pse kishte nisur që në vitin 2020, ndërsa në pranga janë vënë 6 persona. Nën hetim janë 82 shqiptarë, mes tyre mjekë dhe biznesmenë. Mes mjekëve, emrat deri më tani u kanë dalë Edvin Priftit, Aurel Vulës, Ilir Broqajt dhe Vladimir Peto. Biznesmenët nën hetim janë Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj.

zhaklina peto endi cuci arrestohet endi cuci megaaksioni per ilacet

Sondazh

Poll