Bota

17 ha tokë për festivalin Sunny Hill, ministri akuzon babain e Dua Lipës për presion

Ndërkohë shtoi se nuk do të lejojë që figura e Dua Lipës të keqpërdoret nga debatet politike pasi është një artiste që ka bërë shumë për Kosovën.

15 Qershor 2022, 11:53 Nga k.m

17 ha tokë për festivalin Sunny Hill, ministri akuzon babain e Dua

TIRANË- Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka akuzuar themeluesin e Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, për presion mbi çështjen e lëshimit të lejes për pronë në Bërnicë të Poshtme. Bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite.

Sipas ministrit nuk është e drejtë që t'i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi ka ndryshuar vendndodhje. Sipas ministrit ky lloj vendimi nuk lë kohë të mjaftueshme për t'u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik. 

“Motivi dhe angazhimi ynë institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga vendi ynë. Por, çka kemi me kursim në Kosovë, është toka. Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t'u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore"-tha ai.  

Ndërkohë shtoi se nuk do të lejojë që figura e Dua Lipës të keqpërdoret nga debatet politike pasi është një artiste që ka bërë shumë për Kosovën.

"E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit,"-tha ai. 

sanny hill sanny hill ne tirane hajrulla çeku

Sondazh

Poll