Politike

Takimi me kryetarin e radhës së OSBE-së, Meta: Vlerësoj mbështetjen e Polonisë ndaj Shqipërisë

Presidenti Meta dhe Ministri Rau shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të OSBE-së, rreth çështjeve më të ndjeshme në agjendën e Organizatës, me fokus situatën e sigurisë në Europë pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

15 Qershor 2022, 09:07 Nga DOSJA
Takimi me kryetarin e radhës së OSBE-së, Meta: Vlerësoj
Ilir Meta dhe Zbigniew Rau

TIRANË- Presidenti Ilir Meta zhvilloi dje një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryetar i Radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, i shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri Monika Zuchniak-Pazdan dhe Kryetari i Pranisë së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo del Monaco.

Presidenti Meta dhe Ministri Rau shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të OSBE-së, rreth çështjeve më të ndjeshme në agjendën e Organizatës, me fokus situatën e sigurisë në Europë pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Presidenti i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Polonisë konfirmuan qëndrimin e vendeve respektive në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.  Presidenti Meta u shpreh se mbështet plotësisht prioritetet polake në krye të Organizatës dhe se beson se OSBE është një faktor kyç për paqen dhe sigurinë.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në zhvillimet demokratike në vend dhe inkurajoi mbështetjen e saj për realizimin e reformave të kërkuara në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.  Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Polonia ka dhënë për proceset integruese të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perendimor në strukturat euro-atlantike dhe theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, si dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Meta dhe Rau u angazhuan në forcimin e mëtejshëm të vendeve, në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, turizmi, bujqësia dhe energjia.

ilir meta zbigniew rau zbigniew rau ne shqiperi vincenzo del monaco

Sondazh

Poll