Bota

“Ballkani i Hapur”, këshilltari i Kurtit: Nuk e kuptoj pse Shqipëria shtyn përpara një nismë që dëmton Kosovën

PortaiD shkruan se Zulfaj ka thënë për Ballkanin e Hapur, se është një projekt politik dhe nuk është e nevojshme të dyfishohen iniciativat rajonale.

8 Qershor 2022, 20:13 Nga I.A
“Ballkani i Hapur”, këshilltari i Kurtit: Nuk e kuptoj pse
Jeton Zulfaj

KOSOVË- “Kosova nuk është pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë iniciativë sepse është dyfishim i panevojshëm”, kështu ka thënë Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për nismën e “Ballkanit të Hapur”.

Ai ka thënë që kjo nismë që është prezantuar sot në Ohër, ishte vazhdimësi e asaj që pamë në Novi Sad me Mini-Schengenin që u shëndërrua në Open Balkan, por rrënjët i kishte në vitin 2017 tek Unioni Doganor, të cilin e kishte prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e për të cilën edhe ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se ishte nismë e Serbisë.

PortaiD shkruan se Zulfaj ka thënë për Ballkanin e Hapur, se është një projekt politik dhe nuk është e nevojshme të dyfishohen iniciativat rajonale. Sipas Zulfajt, Serbia nuk e pranon si palë të barabartë Kosovën, prandaj nuk mund të marrin pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, është pakuptueshme pse Shqipëria e shtyen përpara me krenari këtë inciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës.

“Kryeministri Kurti, mbrojen e pavarësisë dhe sovranitetit e ka në mënyrë parimore, e kemi të bërë në secilin prej takimeve cilat janë dëmet dhe rreziqet që vijnë prej Serbisë në mënyrë të vazhdueshme, prandaj është pakuptueshme pse Shqipëria e shtyen përpara me krenari këtë inciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Zulfaj.

Ai për këtë inciativë të mbajtur në Ohër, ka thënë se asnjë nga folësit përveq Escobar nuk kërkoi që të mos varemi nga energjia ruse, siç thotë ai asnjëri nga liderët nuk e përmendën faktin që Serbia rishtazi nënshkroi marrëveshje me gazpromin.

“Ky është shqetësimi jonë, është e qartë që Serbia është i vetmi vend që nuk ka sanksionuar federatën ruse”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë ndër të tjera se tregu i përbashkët rajonal, është në procesin e Berlinit, e për këtë Kosova është pro, duke pasur parasysh barazinë e palëve, mbi bazën e rregullave të BE-së dhe traktateve, në këtë drejtim përfiton Kosova, e jo në nismën e Ballkanit të Hapur.

“Ne duam të rreshtohemi karshi vlerave të Bashkimit Evropian”, ka theksuar Zulfaj.

Sondazh

Poll