Bota

Digjet Qendra Kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski: E dënoj ashpër, janë akte provokuese

Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj qendre ku vnë një postim në Facebook kanë kërkuar edhe vënien para drejtësisë të autorëve.

4 Qershor 2022, 14:24 Nga DOSJA
Digjet Qendra Kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski:
Qendra Kulturore Bullgare

MAQEDONIA E VERIUT- Mëngjesin e sotëm është djegur Qendra Kulturore Bullgare “Vanço Mijallov” në Manastir të Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj qendre ku vnë një postim në Facebook kanë kërkuar edhe vënien para drejtësisë të autorëve.

"Në orët e hershme të mëngjesit është djegur objekti i Qendrës së Kulturës “Ivan Mihailov” në Manastir. Presim që institucionet sa më shpejt të hetojnë plotësisht rastin dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët!!”, thuhet në postimin e kësaj qendre në Facebook.

Ndërkohë që menjëherë ka reaguar edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski i cili ka dënuar ashpër këtë veprim dhe e ka quajtur një akt provokimi në tentativë për të destabilizuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Dënoj ashpër djegien e objektit të qendrës kulturore të bashkësisë bullgare në Manastir. Akte të tilla janë provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë. U bëj thirrje institucioneve kompetente që të bëjnë një hetim të shpejtë dhe të detajuar, të marrin të gjitha masat e nevojshme, për të identifikuar dhe sanksionuar autorët”,-tha Pendarovski.

Më herët ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë dënuar ashpër djegien e Qendrës Kulturore dhe kanë kërkuar zbardhjen e rastit.

Për momentin nuk bëhen të ditura shkaqet e zjarrit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen ekspertizën për të zbardhur rastin.

Hapja e kësaj qendre kulturore ka qenë objekt i madh diskutimi para disa muajsh mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Maqedonia e ka quajtur si provokim të rëndë nga ana e vendit fqinjë, pikërisht para mundësisë së çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Ndërsa nga Bullgaria janë përgjigjur se Maqedonia e Veriut po nxit urrejtje kundër Bullgarisë, e nxitur nga partitë politike, por edhe nga bashkësia akademike.

Sondazh

Poll