Aktualitet

Biznes me kufomat në Elbasan/ Policia vë nën hetim mjekun ligjor dhe punonjësin e morgut

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

1 Qershor 2022, 17:16 Nga DOSJA
Biznes me kufomat në Elbasan/ Policia vë nën hetim mjekun ligjor
Spitali Elbasan

ELBASAN- Mjeku ligjor dhe punonjësi i morgut të spitalit të Elbasanit janë vënë nën hetim pas skandalit që u publikua një natë më parë në emisionin “Fiks Fare”. Në njoftim bëhet me dije se ën hetim janë vënë A. K., 51 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë mjek ligjor dhe F. B., 42 vjeç, banues po në Elbasan, me detyrë punonjës i morgut. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke marrë shuma parash për ofrimin e shërbimeve nga morgu pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit, në kundërshtimin me procedurën standarde, që nuk parashikon pagesë për këto lloj shërbimesh.

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Çfarë publikoi mbrëmë emisioni?

Bazuar në investigimin e emisionit “Fiks Fare”, morgu i Spitalit të Elbasanit është kthyer në qendër biznesi, ku punonjësit e këtij morgu kanë nisur të bëjnë pazare me familjarë apo të afërmit e viktimave që vdesin në spital apo në aksidente dhe për persona që ndërrojnë jetë në mënyrë natyrale në shtëpitë e tyre.

Ishte një qytetar nga Elbasani ai që telefonoi në redaksinë e emisionit Fiks Fare i cili u ankua se për tërheqjen nga morgu i këtij spitali të një të afërmi të tij i cili kishte ndërruar jetë i kishin kërkuar  500 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që nuk duhet të ndodhë kështu.

Sondazh

Poll