Aktualitet

Operacioni “Shpirti”, SPAK jep pretencën për disa prej të pandehurve

Të pandehurit akuzohen për “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

1 Qershor 2022, 15:07 Nga DOSJA
Operacioni “Shpirti”, SPAK jep pretencën për disa prej
SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit ka dhënë pretencën për disa nga të pandehurit e operacionit “Shpirti”. Të pandehurit akuzohen për “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Gjatë këtij hetimi është dokumentuar veprimtaria kriminale të pjesëtarëve të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara, të cilët kanë vepruar nga viti 2014 deri në vitin 2019, në Shqipëri dhe në kontakt e bashkëpunim me organizatat kriminale italiane, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Itali e më pas në vende të tjera europiane.

ORGANI I AKUZËS KËRKOI:

-Ilirjan Ducellari 20 vite burg

-Mariglen Ducellari 18 vite burg

-Aurel Kalari 15 vite burg

-Kleo Piro Bregu 15 vite burg

-Organ Ducellari 15 vite burg

-Julian Bejdollari 15 vite burg

-Rexhino Mucaj 15 vite burg

-Alban Koshi 15 vite burg

Si u zhvillua operacioni “Shpirti” dhe përse akuzohen?

Dy truprojat e ish-ministrit Tahiri, Paul (Agustin) Deda dhe Hekuran Marku, bashkë me prokurorin Maksim Sota, Saimir Kurtin, ish-shefin e Trafiqeve, Ilirjan Balla dhe të ndaluarit e tjerë, akuzohen se kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas SPAK, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë. Prokurori Maksim Zota, akuzohet se kishte lidhje me Ilirjan Duçellarin (Zaimi), i arrestuar në Shqipëri), madje kishte një shtëpi me qira, të paguar prej tij, ku jetonte me njërin nga të penduarit, Maringlen Shusha. 

Grupin është zbuluar falë bashkëpunimit me drejtësinë të 4 të arrestuarve që kanë marrë statusin e të penduarit. Ata janë Donia Droli, Maringlen Shusha, Elton Hamzai dhe Fiqiret Seferi. Ata kanë treguar lidhjet e grupit dhe kanë drejtuar gishtin drejt prokurorit apo ish-truprojave të Tahirit. 

Agustin Deda dhe Hekuran Marku akuzohen se kanë qenë organizatorët e trafikut, ku sipas hetimit, ata trafikuan në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë ngarkesën 1016 kilogramë kanabis, e cila i është sekuestruar në Bari me 21 dhjetor 2016 skafisteve Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll