Aktualitet

Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë “të fortit të Vlorës”, qeveria humb sërish

Por sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të ekzekutuar verdiktin e gjykatës, për t’i akorduar Fotaq Zaharisë shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro.

1 Qershor 2022, 15:05 Nga DOSJA
Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë “të fortit të
Fotaq Zaharia

BRUKSEL- Gjykata e Strasburgut ka dhënë një tjetër vendim në disfavor të qeverisë shqiptare. Kjo sepse Fotaq Zaharia, i cili është i njohur ndryshe si i “forti i Vlorës” ka fituar betejën gjyqësore ndaj qeverisë. Por sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të ekzekutuar verdiktin e gjykatës, për t’i akorduar Fotaq Zaharisë shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.

NJOFTIMI I PLOTË:

VENDIMI

V E N D I M PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.45022/16)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.


3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ARBEN AHMETAJ

Zaharia, është i dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, dhe pas dënimit një sërë procese gjyqësore ka kryer, pasi kërkonte mjekim të detyrueshëm spitalor, për shkak të gjëndjes së vështirsë shëndetësore. Më datë 17 qershor 2001, Fotaq Zaharia, së bashku me Ermir Habili dhe Armando Bega e Haxhi Hoxha janë arratisur nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë, ku ndodheshim me masë sigurimi "arrest në burg" të dyshuar se kishin kryer disa vepra penale, si "vjedhje" dhe "rrëmbim personash me qëllim përfitimi".

Zaharia, në kohën kur ka qënë i lirë ishte kthyer në tmerin e Vlorës, por prokuroria arriti ti provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë Gentian Musabelliut. 

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll