Politike

VD-Tërheqja nga rekurset/ Berisha: Plaçkisni! Manja: Po dezinformon publikun, të djeg

Manja tha se udhëzimi orienton administratën shtetërore të heqë dorë nga rekurset e padepozituara.

30 Maj 2022, 13:12 Nga DOSJA
VD-Tërheqja nga rekurset/ Berisha: Plaçkisni! Manja: Po dezinformon
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja replikoi ditën e sotme me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën. Gjatë seancës së Kuvendit, Berisha tha se proceset gjyqësore fitohen nga qeveria e se qytetarët nuk fitojnë kurrë. Manja sqaroi udhëzimin e Këshillit të Ministrave për rekurset në Gjykatën e Lartë. Ai tha se udhëzimi orienton administratën shtetërore të heqë dorë nga rekurset e padepozituara.

Berisha: E dini që 95% të proceseve gjyqësore fitohen vetëm nga narko qeveria, qytetarët nuk fitojnë kurrë. Tani vendosët që rekursin ta shndërroni në një mekanizëm plaçkitje të vërtetë me vendim. Të përzgjidhni ata që nuk do të shkojnë në Gjykatë të Lartë natyrisht kundrejt shumave të majme.

Manja: Jam i bindur që sa herë flet Saliu për të varfrit, për ish pronarët dhe ish të përndjekurit nuk e merr askush seriozisht se ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ekzaktësisht siç bëri me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për heqjen dorë nga rekurset në gjykatën e Lartë. I thirri dhe i mbajti një paradite gazetarët aty për t'i sqaruar një VKM duke dizinformuar opinionin publik dhe këshilluesit. Çfarë është ky udhëzim? Orienton administratën shtetërore të heqin dorë nga rekurset e padepozituara kur vlera e disponimit të padisë nga ana e gjykatës nuk e kalon 40-fishin e pagës minimale. Pra shkon 12 milionë lekë të vjetra Sali. Fiksoje mirë këtë. Do të hiqet dorë nga ato rekurse kur shteti i ka humbur gjyqet në të 2 shkallët e gjykimit, në shkallë të parë dhe të dytë ku përfituesit nga këto vendime, në vlerë leku janë jo më shumë 40-fishi  i pagës minimale. Nuk bëhet fjalë për të hequr dorë nga rekurse që kanë ndikim të madh ekonomik në interesat pasurore të shtetit se nuk kemi luajtur mendsh ne. E dyta hiqet dorë nga rekurset që kanë të bëjnë me njohje, vërtetim vjetërsie në punë, njohje të dhënave të dokumentit, librezë pune, regjistër themeltar, listë pagesa sepse ne në interesin e pensionistëve duam që ta gëzojnë pensionin, prandaj mos dil të flasësh këtu kur dezinformon opinionin publik. Ti e ke zakon, kur të djeg diçka, je gati të djegësh jorganin për një plesht se Shqipërinë ke dhënë prova që e ke djegur sa herë të është dashur".

(A.B)/Dosja.al

Sondazh

Poll