Politike

Presidenca e Këshillit të Sigurimit, Rama niset drejt Amerikës (AXHENDA)

Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare

30 Maj 2022, 09:47 Nga DOSJA
Presidenca e Këshillit të Sigurimit, Rama niset drejt Amerikës
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka do të nisen ditën e sotme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

Takimet e Ramës do të pasohen nga disa veprimtari të tjera si:

-Debat i hapur drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor);

-Sesion informimi, drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian  (16 qershor);

-Debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i RSH në OKB, NY (28 qershor).

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, sic është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju York KM dhe MEPJ do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll