Politike

Përfundon afati, 'digjet' edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit

Sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se ende nuk e ka kuptuar tërheqjen e demokratëve që anuluan edhe mbledhjen e grupit, e cila ishte planifikuar të mbahej të premten për të diskutuar emrin e ri të Kreut të Shtetit.

22 Maj 2022, 16:03 Nga DOSJA
Përfundon afati, 'digjet' edhe raundi i dytë për
Presidenca

TIRANË- Digjet edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit! Kur ora 16:00 ka kaluar, ende nuk ka asnjë emër të dorëzuar nga palët. Ndërkohë që nesër pritet të mbahen dy seanca parlamentare, një paradite dhe tjetra në orën 18:00. Sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se ende nuk e ka kuptuar tërheqjen e demokratëve që anuluan edhe mbledhjen e grupit, e cila ishte planifikuar të mbahej të premten për të diskutuar emrin e ri të Kreut të Shtetit. Nga Fieri, Balla tha se ai bashkë me kolegët socialistë i qëndrojnë marrëveshjes që opozita të japë emrat për 2 raundet e mbetura, por t’i mbështesin me firmat e tyre dhe jo bashkarisht me të maxhorancës.

PD u tërhoq nga gara me pretendimin se socialistët nuk do i ndihmonin për të arritur 20 firmat e nevojshme. Vetë Alibeaj tha se PS-ja ka shkelur marrëveshjen pasi ishte ‘trembur’ nga tetë kandidatët që ata paraqitën publikisht për të zëvendësuar Metën. Por Balla thotë se kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë, që PS-ja nuk ka premtuar se do të bashkojë firmat me për të arritur kuorumin për kandidatin e Opozitës. Ai i kërkoi Alibeajt të rikthehej në tryezë, të rimendohej e të mos çonte dëm dy raunde të këtij procesi.

Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Por Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet efektiv edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra edhe nëse opozita nuk merr pjesë në seancë ajo nuk e bllokon procesin. Gjithsej janë parashikuar pesë raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll